Ramazan Mataj mësohet se ishte kthyer rreth një vit më parë nga Belgjika. Ai kishte qëndruar atje pasi në Belgjikë jeton dhe punon i vëllai.
Më pas kishte ardhur në Shqipëri dhe kishte nisur punë sezonale në Malin e Zi në ndërtim, si murator.
Verifikimet mësohet se janë shtrirë në tri pista që lidhen me aktivitetin e viktimës, ku dyshimet e para që lipsen të hetohen shkojnë në Belgjikë, te aktiviteti i tij apo edhe i vëllait të tij.
Po ashtu mësohet se grupi hetimor i ngritur për të hetuar ekzekutimin e Matajt, po verifikon nëse viktima është i përfshirë në grupet kriminale të Shkodrës, apo të ketë lidhje me ndonjë person me precedent kriminal.
Po ashtu, sipas burimeve hetimore, mësohet se po hetohen edhe konflikte në zonë mes tij dhe
ndonjë personi, që mund të ketë çuar në ekzekutimin e tij.
Nga të dhënat bëhet me dije se Mataj nuk ka pasur asnjë procedim të mëparshëm, përveç një hetimi për prerje të paligjshme të pyjeve, ndërsa priten dëshmi të tjera nga familja për të mësuar ndonjë detaj nga jeta e të riut.
Policia nuk dihet nëse ka mundur të sekuestrojë telefonin e viktimës, për të mësuar të paktën itinerarin e tij, para se sa të vritej, pasi ekziston dyshimi që Mataj të jetë ndjekur për orë të tëra në lëvizjet e tij.