Të nderuar bashkëqytetarë,
Të dashur shkodranë,
Të nderuar miq dhe dashamirë!
Nga viti 2010, kemi nderin dhe privilegjin të administrojmë Hotel Rozafën në Shkodër, simbol i qytetit por edhe i Veriut në fushën e turizmit. Gjatë kësaj periudhe, jemi përpjekur me të gjitha fuqitë tona, të rrisim pandërprerje standardet e sherbimit dhe besojmë se kemi bërë mjaft, duke qenë të vetëdijshëm se duhet bërë akoma më shumë.
Përveç rritjes së standardeve, synimi ynë ka qenë edhe ofrimi i mundësive të punësimit për shkodranët, duke e ditur se është një nga problematikat më të ndjeshme të qytetit e më gjërë. Aktualisht, për administrimin e Hotel Rozafa, kemi të punësuar 65 persona, pjesë e familjeve të nderuara të Shkodrës.
Me eksperiencën e akumuluar në vite në fushën e turizmit, me dëshirën e sinqertë për të ofruar standarde më të larta, për të qenë konkurrentë dinjitozë edhe në rajonin e Ballkanit e më gjërë, bazuar në ligjet dhe rregullat zyrtare, kemi ndërmarrë nismën për ndërtimin e Hotel Rozafa Tower.
Siç keni patur mundësinë ta ndiqni të gjithë, është një sfidë jo e lehtë por me vullnetin që kemi treguar në vite në aktivitetin tonë, me ndihmën e Zotit, do ta realizojmë. “Rozafa” është një emër që identifikohet me Shkodrën, këtë “Zojë të randë” përgjatë shekujve. Vjen nga lashtësitë mbi 2500 vjeçare dhe synojmë ta ngrejmë sa më lart, ta përjetësojmë e forcojmë edhe tek brezat që do të vijnë.
Për një sipërmarrje të tillë, bashkëpunimi me institucionet është jetësor. Respektimi i ligjeve, rregullave e rregulloreve, nga niveli qendros i vendimmarrjes deri në nivelin lokal, përveç se detyrim, është edhe vullneti ynë i përhershëm në të gjitha aktivitetet tona. Por njëkohësisht, jemi të bindur se po propozojmë dhe do i realizojmë Shkodrës e Veriut një vlerë të shtuar në turizëm.
Për përzgjedhjen e projektit, organizuam një konkurs ndërkombëtar, shprehje e seriozitetit por edhe e përkushtimit për të realizuar një vepër që do ti rezistojë kohës, në të gjitha kuptimet. Diçka e re, e paparë më herët, është normale të shihet nga dikush me skepticizëm. Por të jeni të sigurtë, se asnjë veprim nuk do të kryhet pa respektuar të gjithë parametrat teknikë dhe të sigurisë, kriteret urbanistike dhe ligjore që burojnë nga ligjet dhe aktet nënligjore.
Hotel Rozafa Tower nuk është e nuk synon të jetë zgjidhja e të gjitha problemeve që mund të ketë qyteti apo më gjërë. Por ama, në procesin e ndërtimit por edhe me vënien në shfrytëzim, do të ofrojë punësim për mijëra njerëz, të gjithë shkodranë. Do të zbusim kështu një fenomen që artikulohet shpesh edhe politikisht, sidomos për të rinjtë, duke u dhënë një mundësi reale punësimi dinjitoz për të mos qenë përherë të grishur nga emigracioni.
Ndërtimi i Hotel Rozafa Tower, do të rreshtojë Shkodrën në qytetet me turizëm elitar, me standarde më të larta edhe se vendet e rajonit. Interesi i të huajve, do të jetë më i lartë, të ardhurat për qytetin dhe bisneset e lidhura me turizmin, do të jenë në rritje, të ardhurat për qeverisjen vendore më të shumta, duke u kthyer në sherbime e investime publike. Të gjitha këto, përmblidhen në zhvillim ekonomik dhe më shumë mundësi për të gjithë shkodranët.
Projekti i Hotel Rozafa Tower, nuk cënon asnjë ndërtesë historike. Këtë më mirë se shkodranët, nuk e di askush. Edhe Hotel Rozafa aktual, i ndërtuar në fillim vitet ’70, nuk do të cënohet në asnjë milimetër, përkundrazi, do të vijojë të ofrojë me krenari shërbime më cilësore.
Për asnjë moment nuk do të kishim dashur që investimi ynë privat, të përdorej si argument dite i betejës politike, qoftë në nivel qendror apo vendor. Nuk do të kishim dashur që investimi ynë privat, në nivel lokal, të vihej në “syrin e ciklonit” të një subjekti politik, i cili që në lindje ka patur busull orientimi shtetin ligjor, respektimin e tij, tregun e lirë, mbështetjen e bisnesit etj. Subjekt, të cilin pikërisht për vlerat që ka artikuluar dhe mbrojtur, e kemi përkrahur e mbështetur.
Shprehim bindjen e plotë se projekti Hotel Rozafa Tower, realizimi i tij, do të jetë një vlerë e shtuar dhe mjaft dobisjellës për Shkodrën e shkodranët. Gjatë këtyre ditëve, pasi projekti ndërkombëtar u bë publik, kemi marrë mijëra mesazhe urimi, sidomos për guximin për një sipërmarrje të tillë të përmasave ndërkombëtare. I falenderojmë me zemër të gjithë, sidomos qytetarët shkodranë, të cilët e kanë kuptuar tashmë se Shkodra duhet të ecë më shpejt, të krijojë e gjenerojë vlera të reja, më shumë mundësi për të gjithë, pse jo, Hotel Rozafa Tower “të lërë pas shoqet e veta”, brenda e jashtë Shqipërisë!