Atmosferë, ritëm, energji dhe adrenalinë pritet të sjellë për tre netë me radhë “Za Fest”, festivali i zanave dhe legjendave. Nata e parë më 18 korrik do të mbahet në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës, ndërsa dy netët e tjera 19 dhe 20 korrik në kalanë “Rozafa”.


Koordinatorja e festivalit thotë se interesi i shkodranëve për të ndjekur këto netë ka qenë i lartë. Përgjatë netëve të festivalit, për qytetarët do të ofrohet transporti falas.

Shumë artistë do të jenë të ftuar për publikun e pranishëm në këto tre netë të “Za Fest”.

“Za Fest” shënon këtë vit edicionin e tetë dhe ai është kthyer në një destinacion turistik. Vendndodhja strategjike e përdorur ndër vite e ka shndërruar atë në një festë të vërtetë të trashëgimisë kulturore. Mistikja e kalasë “Rozafa” e ndërthurur me muzikën pritet t’i bëjë ato tre netë të parezistueshme për publikun shkodran dhe turistë nga e gjithë bota.