Kombëtarja shqiptare mbylli mbrëmjen e djeshme rrugëtimin në Euro 2024, pa mundur që të kualifikohet më tej.
Edhe pse djemtë në fushë dhanë gjithçka, Shqipëria u mund me rezultatin 0-1 nga Spanja, duke mos mbajtur pozicionin e tretë në grup, që mund të na kualifikonte në fazën tjetër. Disa prej lojtarëve kanë reaguar pas ndeshjes duke shprehur zhgënjimin për rezultatin, por mbi të gjitha duke falënderuar tifozët për mbështetjen e pakushtëzuar që i kanë dhënë kombëtares gjatë këtyre 3 ndeshjeve në Gjermani.
Sulmuesi Jasir Asani ka qenë i pari që ka reaguar, duke shkruar se Shqipëria ka bërë historinë me kualifikimin për herë të dytë në një europian.
“Krenar që jam shqiptar e që jam pjesë e Kombëtares kuqezi. Kemi shkruar historinë duke u bërë pjesë e Euro 2024, jemi përballur si të barabartë me më të fortët e Europës, duke treguar vlerat tona më të mira. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj me tifozët tonë të mrekullueshëm që kanë shkëlqyer në çdo ndeshje. Forca Shqipëri!”- shkruan Asani.
Nga ana tjetër, Asllani shprehet se është një emocion i madh të luash për tifozët shqiptarë dhe mezi pret të zbresë sërish në fushë me fanellën kuqezi.
“Faleminderit tifozët kuq e zi! Një emocion i madh të luash me një publik si ju. Shihemi sa më shpejt! Forca Shqipëri”- shkruan ai.
Ylber Ramadani ndërkohë ka falënderuar shokët e ekipit dhe stafin e kombëtares, teksa shprehet se Shqipëria luajti si e barabartë me ekipe që janë shpallur kampione europe dhe bote.
“Krenar që jam shqiptar! I lumtur që isha pjesë e Shqipërisë në këtë rrugëtim në finalet e ‘Gjermani 2024’. Tre ndeshje, tre finale me tre nga ekipet më të mira të Europës, dy prej të cilave janë shpallur edhe kampione Europe dhe Bote. Luajtëm fort, si të barabartë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën, duke treguar karakter në çdo sfidë. Faleminderit çunave, faleminderit stafit teknik dhe të gjithë stafit drejtues që ka qenë pranë nesh. Një falënderim të veçantë për tifozët që na kanë mbështetur në stadium, në çdo rrugë e shesh të Gjermanisë, si edhe çdo ditë në kampin tonë stërvitor. Mbi të gjitha faleminderit Zotit! Përjetë: Forca Shqipëri!”- shkruan futbollisti.
Edhe Klaus Gjasula nuk e fsheh mërzitjen teksa shprehet se i dhemb eleminimi, por shton se Shqipëria tregoi se kush është. Ai shprehet besimplotë për të ardhmen e ekipit kombëtar.
“Faleminderit për mbështetjen e mrekullueshme. Më dhemb të mos jemi më pjesë e kampionatit europian, por luftuam deri në sekondën e fundit. I treguam botës se kush jemi ne dhe çfarë është i aftë vendi ynë. Ne jemi një! Ne në fushë, bashku me ju. E ardhmja është e jona. Unë jo vetëm e besoj këtë, por e di. Unë jam krenar që jam shqiptar dhe krenare që jam një nga ju. Faleminderit për Emocionet.”- shkruan ai.
Ndërkohë, sulmuesi Armando Broja shprehet se i vjen keq që nuk u dha tifozëve më shumë pasi shqiptarët meritojnë më shumë. Edhe Arlind Ajeti shprehet se është krenar që është shqiptar, teksa edhe lojtarët e tjerë kanë falenderiar tifozët për mbështetjen.