Është hapur pasditen e sotme qarkullimi në aksin Thumanë Kashar, i cili është segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin tre kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj dhe Lekaj – Fier. Hapjen e këtij aksi e bënë automjete të vjetra dhe retro.


Punimet për këtë aks zgjatën rreth 9 muaj. Të pranishëm në inaugurimin e këtij aksi ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro.
Gjatë inspektimit kryeministri Rama u shpreh se ky aks është fytyra e Shqipërisë në vitin 2030. Nga ana tjetër theksoi se do vijojnë punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, si dhe do vijojnë punimet për rrugën Ndroqit.

‘Çfarë është Shqipëria në 2030 mund ta shohin. Brenda kësaj periudhë nga Muriqan në Vlorë duhet të jetë kështu. Ky është korridori blu. Ndërkohë edhe korridor i 8 do jetë i përfunduar. Shumë shpejt do të filloj edhe për Ndroqin dhe autostrada Tiranë Durrës do zgjerohet. Rruga në Ndroq do jetë turistike panoramikë, do jetë kalim alternativ dhe kalim shumë i këndshëm.
I kam merak dibranët. E para që tuneli i Murrizi është fiksimi në luftën me gjeologjinë. Në Murriz po ecim dhe nuk duam të flasim, të vëmë afate. Por nëse edhe fuqia e të zotërve të Dibrës do kemi tunelin para fundit të vitit. Kam parë një lajm që rruga e Arbrit do jetë me pagesë. Nuk do ketë pagesë për rrugën e Arbrit’, u shpreh kryeministri Rama.
Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Kjo tarifë do të përllogaritet çdo vit, dhe kompania private do mund ta rrisë atë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Por do të ketë edhe rrugë alternative, dhe kalimi do të jetë pa pagesë për qytetarët.
Aksi Thumanë- Kashar është një nga më të rëndësishmit e “Korridorit blu” që lidh veriun me jugun, me vlerë totale 226 milionë euro, kurse në 35 vitet e kohëzgjatjes së kontratës, koncesionari pret të fitojë 1.3 miliardë euro. Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen dhe nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion 22.8 milionë euro garanci.