Socialistët nuk kanë lëkundje ndaj mbështetjes së drejtësisë së re të cilës i kanë dhënë votat për ta reformuar, pavarësisht se deri në cilat nivele të politikës ajo troket.

Nga Shkodra, i pyetur për paraqitjen në SPAK të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj për inceneratorin e Tiranës, sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha se politika nuk ndërhyn në vendimmarrjet e drejtësisë.

Pyetje: SPAK po troket në dyert e PS dhe tashmë i është afruar goxha kupolës, i radhës në dyert e SPAK është Erion Veliaj i cili qëndroi më shumë se 6 orë në Prokurorinë e Posaçme, ju shqetëson?

Klosi: SPAK-u apo e gjithë drejtësia e re është një strukturë e ndërtuar me vullnetin dhe me votat e partisë socialiste, një drejtësi e re e cila këtë do të duhet që ta arrinte në sytë e opinionit publik pra të gjykojë çdo rast në të cilën gjykohet se ka nevojë për t’u analizuar, studiuar, verifikuar e pastaj për t’u gjykuar. Pra nuk kemi asnjë shqetësim për sa i përket asaj çfarë qytetarët duan në fakt në vendin tone, të ketë një drejtësi e cila parimin e parë ka pandëshkueshmërinë. Pra, ne do të jemi të hapur dhe nuk do të gjykojmë dhe nuk do të komentojmë asnjë veprim të drejtësisë së re.

Pyetje: Fakti që Veliaj shkoi në SPAK a është një tronditje për PS sepse është kryetari i bashkisë më të rëndësishme në Shqipëri?

Klosi: Besoj e dhashë shpjegimin, e kam dhënë shpesh, nuk e kam problem që ta përsëris, ne kemi marrë tashmë një vendim për të mos komentuar asnjë veprim të drejtësisë së re. E kemi ngritur këtë drejtësi të re me parimin e parë që politika të mos ndërhyjë në vendimarrjen e saj.

Klosi foli edhe për zgjedhjet e ardhshme të 2025 duke thënë se PS po punon që të marrë edhe mandatin e katërt si dhe për Reformën Zgjedhore duke deklaruar se deri më tani ka ngecur për mungesë vullneti nga opozita duke shpresuar që tashmë Parlamenti ta miratojë më 84 vota edhe pse edhe kësaj radhe është e pamundur të realizohet vota e emigrantëve apo edhe depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore.

Pyetje: A po përgatiteni për zgjedhjet e 2025 ose edhe për zgjedhje të parakohshme sepse po flitet shumë se mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme?

Klosi: Për sa i përket procesit zgjedhor jemi vetëm një vit nga dita e zgjedhjeve 2025, shumë pak kohë për një forcë politike e cila e ka seriozisht politikën, e ka seriozisht kontaktin me njerëzit, për një forcë politike që kërkon të marrë mandatin e katërt dhe një forcë politike që kërkon të fitojë përsëri ashtu siç fituam në zgjedhjet e fundit lokale kudo në Shqipëri.

Pyetje: Cilat ishin arsyet e këtij takimi që zhvilluar në PS Shkodër?

Klosi: Sot në Shkodër bashkë me Elisën dhe këshillin koordinues të PS Qarku Shkodër, vlerësuam maksimalisht gjithë procesin e rienergjizimit në çdo organizatë socialiste të këtij qarku ku kemi realisht një surprizë të re për sa i përket angazhimit qytetar, prurjeve të reja në parti, numrin e ri të anëtarëve të partisë dhe natyrisht një angazhim për të pasur një strukturë goxha të mirë të mirëorganizuar. Në datën 10 dhe 11 maj ne do të kemi procesin e votimit ‘një anëtar një votë’, ku do të kërkohet e gjithë anëtarësia e PS të vijë dhe të votojnë për delegatët e Kongresit i cili do të jetë i barabartë ndërmjet zonjave dhe zotërinjve në listat tona. Do të jenë lista të cilat do të jenë me mbi 3/4 me anëtarë të rinj për sa i përket Kongresit të ri të PS për të shprehur gjithë këtë energji të re që PS ka marrë edhe në Qarkun e Shkodrës.

Së bashku me këshillin koordinues u përpoqëm të plotësojmë detyrat që kemi në kuadër të turit ‘Krenar për Shqipërinë’ që kryetari i partisë dhe kryeministri Edi Rama do të ndërmarrë në gjithë vendin për të mobilizuar të gjithë qytetarët shqiptarë për sa i përket kësaj krenarie të madhe që Shqipëria po afron për emigrantët kudo që ata janë. PS është një parti që fiton sepse punon shumë. Edhe përgjigja që morëm nga qytetarët dhe mbështetësit tanë ishte e jashtëzakonshme.

Ne realizuam objektivat në një masë shumë të lartë. Bashkia Shkodër ose Qarku Shkodër i realizoi mbi 200% objektivat që kishim në kuadër të anëtarësimeve të reja. Ne kërkonim që të kishim nga 4 anëtarë të rinj në çdo organizatë socialiste në Shqipëri, pra nga rreth 20 mijë anëtarë, arritën në 32 mijë anëtarë në një periudhë të shkurtër kohe dhe kjo na dha bindjen që realisht jemi në rrugë të mbarë kur të kërkojmë të afrojmë në strukturat tona sa më shumë të rinj.