Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci si dhe nga ministrja Elisa Spiropali, ishin në parkun kombëtar të Thethit, ku eksploruan edhe Zip Line nga ku vëzhgon edhe Luginën e Thethit.
Teksa bashkëbisedoi me banorët e zonës, një prej tyre i shprehu problemin e gjobave për ndërtimet pa leje.
Banori: Problem kemi disa gjoba marramendëse për ndërtimet pa leje.
‘Gjobat për ndërtim pa leje, në këtë zonë do t’i fshijmë të gjitha. Ju keni ndërtuar pa leje sepse nuk keni pasur mundësi të merrni certifikatën e tokës që u takon, deri nga qershori do ta kemi gati këtë paketë. Me ligjin që kemi bërë duhet të bëhet procedura e firmave të gjithë të bien dakord, të merret ajo certifikata.’- tha Rama.
Kreu i qeverisë u bëri sërish thirrje emigrantëve që të rikthehen dhe të investojnë në vendin e tyre.
‘Me investu kursimet e atjeshme këtu tek ajo shtëpia dhe me hap derën me prit miq, fundi i muajit dhe vitit del shumë më mirë se me punu për të tjerët atje. Ajo që sot nuk diskutohet është e rruga është hapur. S’ka nevojë të shkoni ju më në Italie Gjermani se vijën gjermanët e italianët këtu dhe u paguajnë të gjitha shërbimet që u bëni.’- tha Rama.
Ministrja Spiropali dhe kryebashkiku Beci vendosën që të provonin eksperiencën e Zip Line për të parë nga ajri hartën e atraksioneve të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.