Kampi për emigrantët që do të ngrihet në Gjadër dhe Shëngjin të Lezhës, pjesë e marrëveshjes Shqipëri-Itali nuk do të jetë gati deri më 10 nëntor. Më herët ishte thënë që ky kamp do të ishte gati më 20 maj, por gazeta italiane “La Repubblica” tha se sipas vendimit të Ministrisë së Mbrojtjes italiane kampi do të hapet në fillim nëntori.

Gjithashtu më herët buxheti për ndërtimin e qendrave të pritjes, menaxhimit dhe mbajtjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër do i kushtonte Italisë 653.5 milionë euro për 5 vite, por sipas një artikulli të “La Repubblica” kosto rrezikon të shkojë deri në 1miliardë euro për 5 vite.

“Fillimi i punës për ndërtimin e kampit nisi më 23 mars dhe dorëzimi pritet të ndodhë pas 233 ditësh, pra më 10 nëntor. Kështu lexojmë në vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes që i besoi inxhinierëve ushtarakë ndërtimin e qendrave për emigrantët në Shqipëri. Të cilat, megjithatë, sipas synimeve të kryeministres Giorgia Meloni dhe mbi të gjitha tenderit për menaxhimin e qendrave, duhet të hapnin hapur dyert në datën 20 maj”, shkruan “La Repubblica”.

Në portin e Shëngjinit dhe në ish-bazën ushtarake të Gjadrit punimet janë në hapat e parë dhe është e pamundur që qendrat të jenë gati deri në muajin maj, ku do të duhen muaj që ato të jenë gati për të pritur emigrantët që do të transferohen aty deri në përgjigje të kërkesave për azil nga autoritet italiane.

“Kostot për qendrën në Shqipëri vazhdojnë të rriten dhe rrezikojnë të arrijnë shifrën rreth 1 miliardë euro në pesë vjet. Sepse shifrave zyrtare, të cilat arrijnë në rreth 150 milionë euro në vit shumëzuar me pesë vjet, duhet t’i shtohen edhe kostot e rimbursueshme në fund të listës, për transportin dhe kujdesin shëndetësor dhe nënkontraktat. Gjithashtu kostot e ndërtimit të dy qendrave, ajo e pritjes në portin e Shëngjinit dhe kampi në Gjadër, duhet të konsiderohen buxhet shtesë. Punimet që i janë besuar inxhinierëve do të kushtojnë rreth 65 milionë euro”, thuhet në shkrimin e “La Repubblica”.

Marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët u firmos në Romë më 6 nëntor 2023 nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ndërsa u ratifikua në parlamentin e të dy vendeve. Marrëveshja ka një afat 5 vjeçar, ku emigrantët që tentojnë të hyjnë në Itali do të sillen në Shqipëri, ku në Gjadër dhe në Shëngjin të Lezhës do të ngrihen strukturat akomoduese të tyre deri në pritje të miratimit të kërkesë për azil apo dëbimit të tyre në atdhe.

Fillimisht ndarja e emigrantëve do të bëhet në ujëra ndërkombëtarë, pa u lejuar të shkelin në tokën italiane. Në kampet e ngritura në Shqipëri do vijnë vetëm burrat që vijnë nga vende që konsiderohen të sigurta, ndërsa të miturit, gratë dhe të moshuarit do të dërgohen në Itali.

Pas dërgimit të emigrantëve në Shqipëri, ku kapaciteti maksimal është 3 mijë emigrant, do të nis edhe procesi i verifikimit dhe procedurat e përshpejtuara për azil ku nuk do të zgjasin më shumë se 28 ditë. E gjithë proceduar e azilit do të zhvillohet përmes video-konferencave me Romën.

Sipas marrëveshjes në Shëngjin dhe Gjadër emigrantët nuk mund të ecin lirisht dhe të dalin nga kampi. Në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre emigrantët nga territori shqiptar.