Kërkesa për të dërguar mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, për verifikimin e kushtetutshmërisë është rrëzuar.

Për dërgimin e mocionit në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, kishte 39 vota pro nga opozita, të cilat u mposhtën nga 72 votat kundër të mazhorancës.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në Kuvend, Olta Xhaçka ka deklaruar se ishte përdorur si “mish për top” nga ana e deputetëve të opozitës të cilët sipas saj e akuzojnë për përfitime të pavërteta të bashkëshortit të saj Artan Gaçi.

Deputetja tha se bashkëshorti i saj nuk ka përfituar asgjë të kundraligjshme lidhur me aktivitetin e tij si sipërmarrës.

“Sot për t’i vënë kapakun një tallje të madhe me opinionin publik ku emri im është përdorur si top lecke diskutohet këtu nga leckat e topit të opozitës sikur po votohet për të më mbajtur nëpër këmbë apo për të më lëshuar nga këmbët. Në fakt sot Kuvendi nuk ka çfarë voton për mua personalisht sepse çështjen time, Gjykata Kushtetuese e ka pasur e ka shqyrtuar dhe me vendim e ka pushuar. Sot këtu duhet të votohet për diçka tjetër që është shkalla e sovranitetit të parlamentit. Por meqë tek ky absurditet i kthyer në debat u arrit për shkak të akuzave të ngritura ndaj meje dhe meqë vendimi i sotëm lidhet me mandatin tim, megjithëse GJK është shprehur njëherë unë nuk do diskutoj më tepër për këtë dhe do lë kolegët të vendosin.

Çështja ime u shqyrtua nga Gjykata Kushtetuese në janar të vitit të kaluar për më shumë se 8 orë. Pasi shqyrtoi më shumë se 500 faqe prova materiale, vendosi ta pushojë këtë çështje. E gjithë kjo zallamahi ku jam bërë unë mish për top, ka shkak vetëm njërën prej 1500 lejeve të dhëna për përdorimin e plazhit nga subjekte turistike që operojnë në bregdetin e Shqipërisë.

Flitet për favore dhe statuse personale kur në fakt e gjitha nga fillimi gjer në fund është një leje për përdorim plazhi nga një sipërmarrje private pjesë e së cilës është edhe bashkëshorti im i cili është sipërmarrës para se të bëhej deputet dhe u rikthye nga puna e tij private pas punës së deputetit.

U njohëm në rrugën e angazhimit publik dhe nuk mund të vazhdonim të dy këtë rrugë. Pra as unë dhe as bashkëshorti im nuk na është dhënë asnjë status ekskluziv por status ligjor si ajo e sipërmarrjeve të tjera. Nuk është shkelur asnjë ligj dhe nuk është bërë asnjë paligjshmëri, nuk kam qenë në asnjë rast në konflikt interesi. E ka thënë GJK në jurisprudencën e saj. Nuk ka asnjë ndalesë që familjarët e deputetëve të merren me biznes”, tha ajo.