Një burim i ri hajratesh zbukuron qendrën e Shkodrës
Paraditën e së enjtes, më 11 prill 2024, në atmosferën e begatë të Fitër Bajramit, qytetit të Shkodrës iu shtua edhe një burim i ri hajratesh, traditë shekullore islame e qytetarëve shkodranë.
Familja Ciroka, në bashkëpunim me Myftininë e Shkodrës, realizuan Çezmen më të re, sadeka rrjedhëse, në ballë të xhamisë së Fushë Çelës.
I pranishëm në inaugurimin e kësaj vepre bamirësie, ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili falënderoi djemtë e familjes së rahmetliut, H. Bërhan Ciroka, për shpirtin e të cilit u realizua edhe kjo bamirësi për qytetin e Shkodrës.
Myftiu theksoi se në trashëgiminë islame, kontributet për të dashurit tanë që nuk janë më, janë pjesë e pandarë e shpirtit dhe bamirësisë në genet e muslimanëve.
Ai falënderoi djemtë e rahmetliut, H. Bërhan Ciroka, si dhe u lut për familjen e tyre, për shëndet, mbarësi e bekim.
Pas prerjes së shiritit, të pranishmit ndanë gëzimin e kësaj vepre me vlerë, duke u lutur për pranim e bekime.
Myftinia Shkodër falënderon kontributin e familjes Ciroka dhe nxit besimtarët dhe qytetarët e saj që të shtojnë veprat e tilla bamirëse, që mbajnë të gjallë shpirtin e paqes, mirëbërjes dhe kontributeve në komunitet, për të gjithë, pa dallim.