Partia Socialiste hodhi poshtë të gjitha deklarimet në media, si dhe aludimet politike se PS po zhvillon negociata të fshehta me ‘Rithemelimin’ e Berishës.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi të premten se deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Enkelejd Alibaj,i cili u shpreh sot se, “PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore”, nuk janë të vërteta dhe se socialistët nuk kanë asgjë për të negociuar me “rrugën e dëshpërimit”, një aludim ky për ‘Rithemelimin”.
Sipas saj, Partia Socialiste nuk ka çfarë negocion fshehurazi me opozitat në Kuvend.
“Hamendjet në media, lidhur me një negociatë sipas disave për të qetësuar harbimin e rrugicës së dëshpërimit apo sipas disa të tjerëve për të vrarë të vetëvrarin Lul janë pa asnjë bazë”, deklaroi Spiropali përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas saj, socialistët asnjëherë nuk kanë penguar ngritjen e komisioneve hetimore, të cilat janë bazuar në udhë-rrëfimet e Gjykatës Kushtetuese.
Spiropali thekson se PS ka refuzuar të votojë për “pseudo-komisione” që janë në shkelje të Kushtetutës, ndaj çdo kërkesë për komision hetimor brenda kornizës kushtetuese është i mirëseardhur.
“Sa për Komisionin e Reformës Zgjedhore opinioni ynë është publik dhe është shprehur ka kohë edhe nga vetë kryeministri. Thelbi është i thjeshtë fare: Komision Bipartizan me shumë parti s’kanë, ku secili do që të nxjerrë nga qeleshja e vet një reformë sipas oreksit të vet, nuk kemi se si gënjejmë veten se bëhet dot. Kështu që edhe po të donim të negocionim gjësendi me rrugicën e dëshpërimit, nuk do ta gjenim dot çfarë mund të ishte, ndërkohë që në Parlament ne shkojmë për të votuar ligje, ndërsa opozitat për t’i debatuar ato me ne. Kur opozitat s’duan të debatojnë po të harbojnë, ne votojmë dhe vazhdojmë punët e tjera”, nënvizon ministrja Spiropali.
Sipas saj, pavarësisht keqardhjes së madhe për degradimin e opozitave, PS nuk ka asnjë mundësi që t’u vijë në ndihmë as atyre që ulërijnë nga pagjumësia, as atyre që flasin në gjumë.
Alibeaj: PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore
Sekretarit të përgjithshëm i PD dhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj akuzoi të premten PS-në dhe grupin e “Rithemelimit” të Berishës se po bëjnë pazar për Reformën Zgjedhore përmes negociatave sekrete.
Alibeaj tha se PS duhet të sqarojë publikun nëse ka një tentativë për një marrëveshje të tillë okulte që përflitet në media.
“PS duhet të sqarojë nëse ka vendosur të bëjë pazar për Reformën Zgjedhore. Në media referuar burimeve nga PS dhe grupi i Sali Berishës, është bërë e ditur se ka një dakordësi për të dështuar Komisionin e Reformës Zgjedhore në mënyrë që çështja të kalojë në Komisionin e Ligjeve ku socialistët kanë vendimmarrjen me shumicë votash e sidomos ku opozitës i mohohet e drejta e Vetos, si garanci që PS të mos bëjë ligj zgjedhor të njëanshëm duke peshkuar vota opozitare. Dihet se ata janë kundër votës së diasporës, votimit elektronik, listave të hapura, një zone elektorale. Nëse kjo është e vërtetë ky është një pazar në kurriz të shqiptarëve dhe për interesa të dy individëve që duan të mbajnë peng Shqipërinë, Rama dhe Berisha”, shkruan Alibeaj.
Gjithashtu, Aliebaj deklaron se “në emër të PD nuk mund të flasë asnjë i emëruar apo i dëshiruar i Edi Ramës.”
/rtsh.al/