Siç mund të jeni në dijeni, mbrëmë është bërë publike një video në emisionin ” Fiks Fare” të Top Channel, e realizuar në kopshtin “Njomëzat” në Shkodër.
Çështjet e ngritura në këtë kronikë janë në fakt një realitet i hidhur, i trashëguar ndër vite në kopshtet e çerdhet e Bashkisë sonë. Me këtë gjendje jemi njohur edhe nga vëzhgimet tona dhe kontrollet e përditshme gjatë këtyre muajve në detyrë. Kemi gjetur pasaktësi e shkelje në procedura e angazhim të stafeve përkatëse, kemi konstatuar se menuja që u ofrohet fëmijëve ka probleme në cilësi e sasi. Kemi hasur në raste të patolerueshme lidhur me trajtimin e fëmijëve dhe kemi ndërhyrë duke marrë masa të menjëhershme e të ashpra.
Duam me këtë rast të falënderojmë stafin e emisionit investigativ për faktet dhe sjelljen e tyre në vëmendjen e publikut. Ndihmën për të evidentuar problemet e shkeljet e gjejmë me shumë vlerë në punën tonë të përditshme për të goditur çdo padrejtësi e për të përmirësuar çdo shërbim ndaj fëmijëve.
Më lejoni të sqaroj disa detaje:
Procedurat për menunë ditore janë vjetore. E fundit është tenderuar në muajin mars 2023 dhe është e vlefshme deri më 31 mars 2024.
Edhe pse me Urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me nr. 457 datë 13.06.2018 “Për një ndryshim të urdhërit Nr 76/1 datë 24.01.2018 “Për miratimin e ndryshimeve në menutë ushqimore të Çerdheve dhe Kopshteve” është miratuar një menu e re, deri në tenderimin e fundit të përmendur më lart, procedurat e ndjekura nga drejtuesit paraardhës të administratës së Bashkisë nuk i janë referuar këtij vendimi. Pasojat në cilësinë, larmishmërinë dhe sasinë e ushqimeve që iu janë dhënë fëmijëve, janë të qarta për çdo prind e kujdestar.
Për këto arsye e shumë të tjera që lidhen me trajtimin e fëmijëve, kushteve në kopshte e çerdhe, aftësimit të stafeve dhe eficencës në shërbime, Bashkia ka ndërmarrë disa hapa:
1. Ristrukturimin e plotë të drejtorisë përkatëse
2. Ristrukturimin e stafeve përkatëse dhe riorganizimin e detyrave dhe përgjegjësive.
Këto vendime kanë ardhur si pasojë e një pune të gjatë e të kujdesshme dhe kanë hyrë në fuqi më 1 mars 2024.
3. Hapjen e tenderit për ushqimet për vitin 2024, bazuar në aktet ligjore sipas Urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me nr. 457, datë 13.06.2018.
Në lidhje me rastin e referuar gjatë mbrëmjes së djeshme, kemi ngritur grupin e punës dhe pas kontrolleve e takimeve përkatëse janë konstatuar këto shkelje:
1. Në këtë kopsht është ofruar shërbimi ushqimor sipas menusë së vjetër ndërkohë që sipas Urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me nr. 457 datë 13.06.2018 duhej të aplikohej menuja me standardet e reja.
2. Ka mungesë të ofrimit të produkteve ushqimore sipas menusë së publikuar aktualisht në kopsht.
3. Ka një deklarim jo të saktë të numrit të fëmijëve që përfitojnë shërbim ushqimor.
4. Nuk është gjendur kuzhinierja e kopshtit në vendin e punës.
Ndaj punonjësve të përfshirë në këto shkelje po ndjekim procedurat për marrjen e masave disiplinore referuar legjislacionit përkatës.
Duke falënderuar edhe njëherë stafin e emisionit ” Fiks Fare” kërkojmë vëmendjen e publikut për sinjalizime të ngjashme në çdo institucion të Bashkisë Shkodër.
Duam gjithashtu të shprehim hapur qëndrimin tonë të palëkundur për të ndërmarrë çdo masë e reformë të nevojshme në funksion të mirëfunksionimit të çdo hallke që duhet të sigurojë kujdesin maksimal për fëmijët. Mirëqenia e tyre fizike dhe emocionale janë të shenjta për ne e do të punojmë fort edhe në këtë drejtim.