Në muajin shkurt hyn në fuqi marrëveshja e kredisë prej 50 mln euro mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane, për sektorin e ujësjellës – kanalizimeve. Dokumenti është publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që nëpërmjet kësaj kredie do të financohen investime që synojnë përmirësimin e situatës së furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të përdorura urbane në bashkitë që do të përfshihen në program.
Po ashtu, përmes këtyre investimeve synohet përmirësimi i treguesve të performancës së shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve, që do të përzgjidhen për t’u financuar. Në këtë kuadër, kfW do të vendosë në dispozicion edhe një grant prej 3 mln euro, për forcimin e kapaciteteve të shoqërive rajonale të ujësjellës-kanalizimeve për bashkitë që do të përfshihen në program. Në marrëveshje nuk janë përcaktuar shoqëritë konkrete që do të financohen, pasi planifikimi dhe specifikimi i investimeve do të realizohet nëpërmjet përditësimit dhe hartimit të studimeve të fizibilitetit, ku do të përcaktohen nevojat shumëvjeçare për investime.
Pas hartimit të tyre, synohet të financohen investimet më prioritare. Në fakt, nevoja për financime në sektorin e ujësjellës – kanalizime është e madhe, teksa sipas dokumenteve zyrtare arritja e objektivëve për furnizim 24 orë me ujë dhe rrjet kanalizimesh deri në vitin 2030 kërkon një vlerë financimi prej rreth 162 mld lekë, 92% e të cilave janë kosto për investime.