Disa linja hekurudhore të Shqipërisë janë bërë pjesë e rrjetit kryesor transevropian të transportit, që njihet ndryshe si TEN- T, duke i dhënë prioritet për investime. Pas miratimit të marrëveshjes së lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, janë publikuar hartat e reja me linjat e trenave që tashmë janë pjesë e këtij rrjeti. Kështu, pas linjës hekurudhore Durrës – Hani i Hotit, që ishte përfshirë më herët në rrjetet bazë të transportit, është shtuar edhe korridori VIII hekurudhor, që nis nga Porti i Durrësit, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Ky segment ka qenë pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës, por me riklasifikimin e tij do të ketë më tepër prioritet për financime nga ana e Bashkimit Evropian. Për t’u bërë pjesë e rrjetit kryesor fillimisht parlamenti shqiptar duhet të miratojë marrëveshjen e nivelit të lartë ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për harta treguese të rrjetit transevropian të transportit në vendin tonë. Pjesë e hartave të reja është edhe linja hekurudhore Vlorë – Durrës.

Marrëveshja e nënshkruar pak muaj më parë shërben për procedurë për të vijuar me miratimin nga Komisioni Evropian të ndryshimit të rregullores së BE-së, për zgjatimin e rrjetit TEN-T kryesor. Rregulloja TEN- T identifikon projektet me interes të përbashkët, përcakton prioritetet për zhvillimin e rrjetit transevropian të transportit dhe specifikon kërkesat që duhen respektuar për menaxhimin e infrastrukturës së rrjetit transevropian të transportit.