Vllaznia vijon përgatitjet dimore në prag të rifillimit të kampionatit të Superiores që nis me 12 janar, ndërkohë që për kuqeblutë starti i vitit 2024 është me datë 14 janar, ku në kuadrin e javës së 19-të presin në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin e Kukësit duke filluar nga ora 17:00. Pas seancës së parë të zhvilluar me datë 2 janar në Shkodër ,që prej së mërkurës, skuadra gjendet në Ulqin ku i është nënshtruar një ngarkese me nga dy seanca stërvitore në ditë, paradite dhe pasdite.
Përgatitje kjo që do të gërshëtohet edhe me zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore, të cilat stafi teknik i ka planifikuar të luhen përballë dy komshive veriorë, ekipeve të Laçit dhe Besëlidhjes. Miqësorja e parë do të luhet në fundjavë në Kurbin përballë skuadrës vendase të Laçit, ndërkohë që e dyta është lënë të luhet pasditen e së hënës në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Miqësorja me Laçin e kategorisë Superiore që drejtohet nga trajneri Mirel Josa, konsiderohe si testi kryesor për skuadrën kuqeblu të drejtuar nga tekniku tetovar, Qatip Osmani.
Ndërkohë, ballafaqimi i së hënës me lezhjanëtqë do të luhet në shtëpi është i dyti takim miqësor që luhet brenda pak ditëve mes këtyre skuadrave. Kujtojmë se i pari u luajt me datë 30 dhjetor të vitit të kaluar dhe u mbyll me fitoren 1 me 2 nga Besëlidhja e drejtuar nga trajneri Dritan Smajlaj, një ish futbollist ky që ka luajtur për pesë sezone me radhë për ngjyrat kuqeblu. Dy miqësoret në fjalë, me Laçin dhe Besëlidhjen, pritet t’i shërbejnë stafit teknik për kolaudimin e skuadrës, dhe sidomos projektimin e formacionit të parë për ndeshjen e 14 janarit që do të luhet në “Loro Boriçi” për llogari të javës së 19-të Abissnet Superiore.