Këtë vit OSHEE rajoni Verior synon të realizojë 27 projekte të planifikuara. Dy prej tyre kanë të bëjnë me përmirësimin e furnizimit me energji elektrike në qytet dhe 25 të tjera në fshatrat më problematikë.

“Kemi bërë disa projekte për 2024 ku kemi përfshirë të gjitha zonat rurale, pasi Shkodra qytet brenda është 90% e shtrirë me fidra 20 kilovolt, pra me një rrjet shumë cilësor. Janë 27 projekte të miratuara”, u shpreh Armando Zhuka, Drejtor i OSHEE Rajoni Verior

Fidri i Shkodra 1 i cili përfshin pjesën juglindore të qytetit me rreth 100 biznese do të ndryshohet, ku nga 6 kilovolt tashmë ai do të furnizohet me 20 kilovolt.

“Shumë shpejt do të kemi ndryshim të fidrave të Shëngjinit, të Velipojës, do të jetë fidri 21 i Shkodra 2 që përfshinë pjesën lindore të qytetit të Shkodrës, aty ka rreth 100 biznese të cilat nuk do të furnizohen më me 6 kilovolt, por rrjet 20 kilovolt. Këto projekte janë të miratuar dhe jemi në pritje të fondeve të tyre që të fillojmë investimet”, theksoi Zhuka.

Sipas drejtuesve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, këto investime do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, minimizimin e defekteve dhe kohës për riparimin e këtyre defekteve. Teksa Shkodra në 90% të saj furnizohet rregullisht me energji, këtë vit fokusi mbetet për zonat e largëta malore. Vermoshi vijon të jetë ndër më problematikët sa i takon pjesës së rrjetit elektrik, ku sa herë ka erë dhe reshje dëbore, banorët mbesin në errësirë.