Ashtu siç paralajmëroi Star Plus në tetorin e vitit të kaluar, hipoteka e Shkodrës zyrtarisht tashmë është zhvendosur drejt Tiranës. Me një vendim të datës 3 janar të këtij viti të drejtorisë së përgjithshmë të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është urdhëruar zhvendosja e hipotekës së Shkodrës dhe të Vlorës në mjediset e një godine në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Këtë lëvizje Star Plus e paralajmëroi për qytetarët e Shkodrës pasi normalisht nuk është aspak e mirë. Mbyllja e Agjencisë së Kadastrës në Shkodër duke shkuar drejt kryeqytetit nuk është asgjë më shumë përveçse një sorollatje dhe lodhje edhe më e madhe për shkodranët të cilët prej 30 vitesh enden nepër këto zyra për të marrë pronat e tyre ose për t’i legalizuar.

Kjo zhvendosje i mbyll dyert shumë të gjithë atyre që ende nuk kanë përfunduar paisjen me certifikata pronësie për shkak të vonesave të stërzgjatura dhe problemeve të mbartura ndër vite që hipoteka e Shkodrës deri më tani duhej që t’i kishte zgjidhur. Duke shtuar edhe këtë zhvendosje drejt Tiranës gjithçka bëhet më e vështirë për qytetarët dhe bizneset të cilët tashmë do ta kenë më larg këtë institucion. Kjo shton edhe kostot për qytetarët edhe pse një pjesë e shërbimeve janë kthyer online përmes e-albania.