Ky vit filloi ashtu siç pritej, një tjetër institucion zhvendoset nga Shkodra. Me urdhërin nr.1 dt.03.01.2024 të Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së, është urdhëruar zhvendosja e strukturave të shërbimeve kadastrale të drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Shkodër dhe Vlorë në ambientet e godinës së ASHK me adresë rruga “Jordan Misja”, Tiranë.


Ky institucion kaq i rëndësishëm sa i takon shërbimeve ndaj qytetarëve, transferohet në Tiranë, pasi më parë janë hequr nga ky qytet drejtoritë e Arsimit, Shërbimit Informativ, Arkivave, Bordit të Kullimit dhe Agjencisë të Ujërave, si dhe për më tepër, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Administrative.


Gjithnjë e më tepër Shkodra po merr trajtën e një vendi që shkohet për tavën e krapit në Shirokë, për të vizituar kalanë e alpet dhe për të bërë një xhiro me biçikletë në pedonale. Shkodra si qendra me e rëndësishme rajonale, administrative, ekonomike dhe universitare po zbehet çdo ditë. Vizioni është ta kthejmë Shkodrën që historikisht ka qenë vendi i tregtisë, i intelektualëve, i artistëve, i politikanëve dhe shtetarëve, në një qytet të qetë ku mund të kalohet thjesht fundjava nga ata që vijnë to lodhur nga java intensive e kryeqytetit, duke e lënë pa asnjë rol dhe ndikim në zhvillimin ekonomik, politik, arsimor dhe kulturor në rang kombëtar…thënë thjesht në një provincë…