Një ngjarje e rëndë ndodhi në Sukth të Durrësit, ndërsa një nënë 41-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke pirë fotoksinë.

Shkak për aktin e vetëflijimit, u bë bullizimi që gruaja përjetonte prej disa kohësh nga disa persona, të cilët nëpërmjet një profili fals në platformën Tik Tok, e denigronin nga ana morale.

Sipas dëshmisë nga oficeri i Policisë Gjyqësore, thuhet se Policia për ngjarjen është njoftuar mëngjesin e 02 Janarit të këtij viti. Fillimisht thuhet se 41 vjeçarja është dërguar në Urgjencën e Spitalit nga familjarët e saj e më pas në QSUT, ku edhe ka ndërruar jetë, si pasojë e komplikacioneve.

Pas marrjes së njoftimit, nga ana e Policisë Gjyqësore thuhet se është shkuar në banesën e shtetases Bedrie Loka, në fshatin Vadardhë, ku shikohet një banesë dy katëshe, kati i parë i banueshëm.

“Në katin e parë të banesës në dhomën e ndjenjës janë gjetur: një shishe plastike me ujë dhe disa kapsula me tub cilindrik të dyshuar fotoksine, të cilat dyshohet se i ka konsumuar kjo shtetase. Në tapetin e kësaj dhome shikohen dhe mbetje ngjyre gri nga materiali i fotoksinës. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale këto sende”, thuhet në raport.