Më 1 janar ka hyrë në fuqi buxheti i shtetit për vitin 2024, ndërsa pritet që më datë 3 thesari të disbursojë fondet e para, që janë kryesisht fondet e pagave për punonjësit e administratës.
Ndër të tjera, gjatë këtij viti qeveria ka planifikuar rritjen e pagave për administratën publike, duke nisur nga 1 korriku 2024, me një faturë 11 miliardë lekë më shumë. Po ashtu, parashikohet indeksimi i pensioneve dhe bonusi i fundvitit për pensionistët që janë përkatësisht 4.1 miliardë lekë dhe 3.6 miliardë lekë. Për kompensimin e pronarëve janë llogaritur 5 miliardë lekë dhe për ish të përndjekurit 1.2 miliardë lekë.
Të ardhurat buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% të PBB të rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022.
Në vitin 2024, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 674.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 633.7 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 447 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurimin shoqëror dhe sigurimin shëndetësor, planifikohen të jenë 156.7 miliardë lekë.
Totali i shpenzimeve publike për vitin 2024 programohet në nivelin 735.9 miliardë lekë, ose 30.2% e PBB.
Qeveria shqiptare parashikon një rritje ekonomike rreth 3.8% gjatë vitit 2024, nga 3.7% që parashikohet për vitin që sapo lamë pas.
Dorian Koça / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.