Ekzekutori i Ardian Nikulajt, portugezi Ruben Saraieva ka dalë sot para Gjykatës së Lezhës për të marrë masën e sigurisë. Saraieva pas vrasjes së Nikulajt, u largua nga vendi ynë dhe u arrestua në Marok. Nga Maroku, Saraieva u deportua dy ditë më parë. Seanca gjyqsore ndaj Saraievës u zhvillua me dyer të mbyllura dhe në fund u vendos masa e sigurisë arrest me burg.

Gjatë seancës ai nuk ka pranuar asnjë akuzë, duke thënë se nuk ka dijeni për ngjarjen. Po ashtu avokati i tij ka deklaruar se portugezi ka thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se nuk njeh asnjë person nga Shqipëria dhe se në vendin tonë ndodhej për pushime.

SI NDODHI VRASJA?

Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit. Për këtë ngjarje mbetet në kërkim Harry Simpson, i akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor.

Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok. Britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, ata kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva./Dosja.al