Por ndërsa pritej që Erind Bardhi dhe babai i tij Martin Bardhi të përgjigjeshin përpara drejtësisë për atentatin e dështuar ndaj Saimir Reçit, një vendim fort i diskutueshëm Gjykatës së Lezhës, la në liri në muajin korrik të vitit 2023, Martin Bardhin. 58-vjeçari, solli në gjykatë, prova filmike, që sipas tij vërtetonin alibinë se në momentin e atentatit ndaj Saimir Reçit, në muajin mars, ai ndodhej në një vend tjetër, të ndryshëm nga ai i krimit. Ai po kështu paraqiti para gjykatës edhe disa dëshmitarë që sipas tij konfirmonin thëniet e tij, se në momentin e sulmit me armë ndaj Saimir Reçit, ai ishte i shoqëruar me këta persona, në një vend tjetër.

Nisur nga këto prova, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Lezhës, siç zbulon emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, vendosi të ndryshojë masën e sigurisë të vendosur ndaj Martin Bardhit nga ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’. Ndërsa djali i tij Erind Bardhi, ishte ende në kërkim nga policia, në akuzën për ‘Vrasje me paramendim’ të mbetur në tentativë si dhe ‘Mbajtja pa leje të armëve të zjarrit’. Por edhe pse kishte dy muaj që kishte fituar lirinë, Martin Bardhi thuhet se nuk dilte shpesh në qytet. Ai shihej rrallë në qarkullim. Ndërsa vetëm ditët e fundit, para se të binte pre e atentatit, kishte filluar ti shpeshtonte vizitat në lokalin e tij. Gjë që mesa duket e kishin vënë re edhe armiqtë e tij, të cilët kishin kohë që prisnin çastin e duhur për t’u hakmarrë ndaj tij.

Mundësi që u erdhi në shteg atë mëngjes të datës 27 shtator, kur Martin Bardhi la sërish banesën, për të vizituar lokalin e tij në qendër të Rrëshenit. Ashtu siç pritej, policia i ushtroi kontrollet e para në banesat e famuljes Reçi në Rrëshen, kjo për shkak edhe të konfliktit të hapur që kjo familje kishte me atë të Martin Bardhit, pas atentatit të ndodhur në muajin mars ndaj Saimir Reçit.

“Nisur nga konflikti ndërmjet viktimës Martin Bardhi dhe familjes Reçi, nga ana jonë u ushtruan kontrolle në banesat e shtetasve Saimir Gjevalin Reçi, Elson Gjevalin Reçi, Martin Nikoll Reçi si dhe Gjevalin Nikoll Reçi, në qytetin e Rrëshenit. Ku gjatë kontrollit në këto banesa u gjetën shtetasit Gjevalin Reçi dhe Saimir Reçi. Ndërsa shtetasi Martin Reçi, rezulton të jetë paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, rreth orës 11.00 kurse shtetasi Elson Reçi, rezulton të jetë larguar nga Shqipëria me datë 13 shtator 2023, ora 12.54, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Rinas, me linjën ajrore Fly Dubai-1053-1054 Dubai”, thuhet në dosje.

Më interes për policinë ishte dëshmia e Saimir Reçit. Personit kryesor të dyshuar në lidhje me atentatin e ndodhur ndaj Martin Bardhit. Kjo edhe për faktin, pasi në muajin mars ai ishte shënjestër e atentatit të dështuar nga familja Bardhi. Gjatë marrjes në pyetje ai tha për grupin hetues se lajmin për vrasjen e Martin Bardhit e mësoi ndërsa ishte në banesë bashkë me një person tjetër.

“Rreth orës 7.10, unë jam zgjuar nga gjumi dhe jam marrë me një kabllo korrenti tek shtëpia ime, pasi kishte defekt. Kjo ka ndodhur deri rreth orës 8.30. Më pas unë thirra shtetasin Gon Arapi, për të rregulluar kabllorin e internetit dhe u ula bashkë me të në verandën e shtëpisë duke pirë kafe. Gjatë kohës që isha duke pirë kafe, ne dëgjuam krisma arme në qytet. Ndërkohë që Goni u largua nga banesa ime, unë doja të dilja në qytet. Aty kam takuar disa njerëz të cilët më thanë se kishte patur krisma arme tek spitali”, thuhet në dosje.

Saimir Reçi tha në dëshminë e tij të mëtejshme për grupin hetues, se ai nuk e vazhdoi më rrugën për në qytet. Dhe se u kthye në banesën e tij. Ndërsa lajmin për ekzekutimin e Martin Bardhit e mësoi nga televizori. “Në atë moment unë u ktheva përsëri në shtëpi dhe nuk lëviza më. Unë ngjarjen e mësova nga lajmet në televizor, ku aty pashë se ishte vrarë shtetasi Martin Bardhi”, vijon dosja. I pyetur në lidhje me konfliktin e vjetër që ai kishte me familjen Bardhi, Saimir Reçi shpjegoi edhe njëherë përpara oficerëve të policisë se si nisi në muajin mars debati që më pas përfundoi në përdorimin e armës së zjarrit. Sipas të thënave të tij, gjithçka nisi pasi dyshimeve se pjesëtarë të familjes Bardhi po filmonin në drejtim të banesës së tij. Dhe një shpullë që ai adresoi ndaj njërit prej djemve të familjes Bardhi.

“Në lidhje me konfliktin me familjen e viktimës Martin Bardhi, të ndodhur përpara disa muajsh, gjithçka ka nisur pasi ndërsa po dilja nga banesa pashë djalin e shtetasit Paulin Lleshi pranë shtëpisë time, i cili ndërsa ishte në mjetin e tij një person tjetër, po filmonte nga shtëpia ime. Gjatë këtij momenti unë i ndoqa personat e lartpërmendur dhe i ndalova në rrugë përpara kishës. Aty unë kam qëlluar me shpullë djalin e Paulinit dhe në këtë kohë reagoi personi që ndodhej në mjet me të, të cilin edhe atë e godita me shpullë”, thuhet në dëshmi.

Saimir Reçi tha më tej se vetëm 30 minuta më pas në drejtim të tij u afruan Erind Bardhi dhe babai i tij Martini si edhe një i afërm i tyre, të cilët qëlluan me armë zjarri, në drejtim të makinës së tij.

“Pas rreth 30 minutash, teksa kisha dalë me automjetin tim në qytet dhe isha përballë lokal ‘Filopati’, pashë që nga një automjet ‘Audi’, zbritën shtetasit Erind Bardhi, Kristi Bardhi dhe bashkë me ta u afrua edhe babai i Rindit, të cilët mbanin pistoleta në duar. Gjatë kësaj kohe Erindi qëlloi tek xhami i mjetit tim dhe më pas edhe Kristi, ku gjatë largimit unë bëra aksident tek karburant ‘Kthella’”, shton ai.

Por ndërsa dha shpjegime për atë që ndodhi në atentatin ndaj tij në muajin mars, nga familja Bardhi, Saimir Reçi, mohoi çdo përfshirje të tij, në ekzekutimin e Martin Bardhit. Ai tha se nuk kishte asnjë dijeni për autorët e ngjarjes, dhe po kështu deklaroi se vëllai i tij Elson Reçi, kishte afro 2 javë që ishte larguar nga Shqipëria në drejtim të Dubait. Ashtu sikurse edhe u verifikua nga mosprania e tij gjatë kontrollit të ushtruar nga policia. Si edhe konstatimit të daljes nga pikat kufitare. E cila ishte në sinkron me thënien e vëllait të tij. Por ndërsa Saimir Reçi, i dyshuari kryesor për vrasjen e Martin Bardhit, hoqi çdo përgjegjësi nga vetja, interesante është sjellja e xhaxhait të tij. Martin Reçi, i cili u paraqit me dëshirën e tij të jepte dëshminë rreth ngjarjes, vetëm 30 minuta pasi ishte konsumuar atentati.

Tashmë jo në komisariatin e Rrëshenit, por në drejtorinë e Policisë Tiranë. Aty ku mohoi të kishte dijeni për rrethanat e ngjarjes më të fundit të ndodhur në qytetin e tij. “Shtetasi Martin Reçi, i pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, ka shpjeguar se; Më datë 26 Shtator 2023, rreth orës 08.00, ka dalë nga banesa e tij në Rrëshen dhe pasi ka lënë vajzën tek shkolla e mesme e qytetit, ka shkuar tek lokali i tij Bar ‘Mirdita’, ku ka pirë kafe për afro 30 minuta me shtetasit Bledar Reçi dhe Paris Prenga. Më pas ai thotë se bashkë me inxhinierin Paris Prenga, janë nisur me mjetin e tij drejt Tiranës, për të kontaktuar me kompaninë ‘T…’. Gjatë rrugës ai deklaron se është ndalur tek karburant ‘E….’ në afërsi të Rubikut dhe tek dyqani i këmbimit valutor pronë e bashkëshortes së tij, ku ka qëndruar rreth 10 minuta dhe më pas është nisur për në Tiranë”, vijon dosja.

Martin Reçi tha më tej në dëshminë e tij, se lajmin për vrasjen e Martin Bardhit, dhe të asaj çfarë kishte ndodhur në Rrëshen, ai e mësoi nga bashkëshoqëruesi i tij,me të cilin në atë moment po udhëtonte drejt Tiranës.

“Gjatë rrugës për në Tiranë, Parisin e morën në telefon dhe e njoftuan për një ngjarje të ndodhur në qytetin e Rrëshenit. Pasi u interesuam, mësuam se ishte qëlluar me armë shtetasi Martin Bardhi”, thotë në dëshmi.

Menjëherë pas dëshmisë së dhënë në drejtorinë e policisë Tiranë, Martin Reçi u la i lirë të shkonte në përditshmërinë e tij. Por ndërsa nuk dha ndonjë detaj të rëndësishëm për hetimin, interesant është fakti se ai kërkoi vetë të jepte dëshminë në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë. Madje ai pati një bisedë me një nga drejtuesit e lartë të policisë në kryeqytet. Ndërsa po kaq interesant është edhe fakti që telefoni i Martin Reçit rezultonte i formatuar, pasi ishte paraqitur për të dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetues.