SPAK ka nisur hetim pasuror për këngëtaren e njohur Elvana Gjata e cila doli në përgjimet e fundit në aplikacionin “SkyECC” që çoi në goditjen e grupit të strukturuar kriminal, mes tyre ish i fejuari i saj Ervin Mata, Erzen Breçani, djali i tij Eralbi Breçani dhe zyrtarë e ish zyrtarë policie.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur hetim ndaj Elvana Gjatës, pasi është përmendur disa herë në përgjime si “transferuese” e parave nga Ervin Mata për Erzen Breçanin.

Në përgjimet mes Ervin Matës, dhe Erzen Breçanit dhe djalit të tij Eralbit, flitet për transferimin e shumave deri në 500 mijë euro, nga llogaria e Elvanës. Konkretisht, në faqen 83 të dosjes, citohet një bisedë e Erzen Breçanit me djalin e tij Eralbin.

Burime nga SPAK, bënë të ditur për “Report TV” se nën hetim janë edhe pasuritë e familjarëve të Ervin Matës dhe 10 personave të akuzuar si pjesë e grupit kriminal. Ky hetim përfshin verifikimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme që kanë në emër të tyre 11 të akuzuarit dhe familjarët e tyre, përfshirë këngëtaren e njohur.

Përgjimi ku del emri i këngëtares Gjata

Erzen Breçani: Cfarë po bëni, si është Ervini (Mata), më tha po ti dërgoj nga llogaria e Elvanës 500 mij euro borxh… E maroj punët sa ti kalosh këto halle…I thash jo në asnjë mënyrë.

Emri i Elvana Gjatës, del sërish në faqen 84 të dosjes së SPAK, nga një tjetër bisedë e Erzen Breçanit e zhvilluar më datë 21 gusht 2020.

Erzen Breçani: “…Po nuk kam thënë gjë, vetë më pyti atëherë kur ti ishe këtu… E më tha sa të ka sjellë Abi…I thashë kaq rreth 350… Më tha do i them Elvanës të ti kalojë…I thash jo jo… Ai më pyeti sa ka sjell Abi unë nuk i thashë asgjë vetëm siç është ka sjellë kto ka me sjellë shoku vet edhe kaq dhe un i mbylli punët por po pres ai tha ti jap unë 500 i them Elvanës un i thashë jo jo..!

Nga biseda e zhvilluar, sipas SPAK, krijohen dyshime se Eralbi Breçani ka dërguar një shumë prej 350 mijë euro tek Erzen Breçani më parë.