Tre persona janë arrestuar në Vaun e Dejës, si pjesë e një grupi kriminal prej 5 anëtarësh. Sipas inofrmacioneve policore dy të tjerët janë shpallur në kërkim.

Ky grup kriminal dyshohet se ka djegur 4 makina dhe ka vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.

Në pranga është vënë Rasim Gorrilla, 24 vjeç dhe Gerisjan Duli, 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi Fatjon Jubani 34 vjeç, banues në Shkodër. Ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit Kledis Dibra dhe Amarildo Ndoj, të dy banues në Shkodër.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vau i Dejës, Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Polinomi”.

Goditet një grup kriminal i dyshuar për disa raste në fushën e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës, të kryera gjatë vitit të fundit.

Arrestohen 3 pjesëtarë të grupit kriminal dhe vijon puna për kapjen e 2 të tjerëve, të identifikuar tashmë nga Policia.

Këta shtetas, autorë të dyshuar të: djegie së 4 automjeteve, 4 vjedhjeve në banesa në Vaun e Dejës dhe 2 vjedhjeve në banesa në Shkodër.

Si rezultat i një pune të mirëfilltë hetimore, të kryer intensivisht nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me qëllim zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale që përfshijnë djegien e disa automjeteve dhe vjedhjen e shumave të parave dhe sendeve personale, në 6 banesa në Vaun e Dejës dhe në Shkodër, të kryera gjatë vitit të fundit, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Polinomi”.

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit R. G., 24 vjeç dhe G. D., 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi F. J., 34 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. N., 24 vjeç dhe K. D., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga hetimet rezuloi se këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se kanë kryer këto ngjarje kriminale:
-më datë 18.11.2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10.01.2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë;
-gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga këta shtetas, për të shkuar në vendngjarjet.

Vijon intensivisht puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht ngjarje të tjera kriminale kundër pronës dhe pasurisë, që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.