Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur në GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’, për çështjen e koncesionit të sterilizimit ku akuzohet për shpërdorim detyre.

Seanca u drejtua nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Erjon Bani pas kërkesës që është bërë nga vetë prokuroria e Posaçme.

“Do të flas herë tjetër” mësohet të ketë thënë Beqaj.

Beqaj u mor edhe në pyetje, ndërsa në SPAK është paraqitur 30 minuta para, në orën 11:30, i shoqëruar nga avokatët e tij.

Masat e sigurisë për Beqajn u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 16 nëntor, bazuar në kërkesën e prokurorisë. Deri tani nga hetimi i SPAK ai është zyrtari më i lartë nën akuzë për shkeljet e konstatuara me kontratën e partneritetit publik-privat të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, pas arrestimit në gusht të këtij viti të biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar shkelje në procedurat e dhënies së koncesionit, siç dyshohet me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staçini.

Lista e shkeljeve përmban një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme në kundërshtim me ligjin; hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht si dhe mosveprimin e Beqajt për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes zv.ministrit Klodian Rrjepaj si kryetar i komisionit të koncesionit dhe Ilir Rrapajt si biznesmen përfitues i tij. Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negocimit të kontratës koncesionare, që sipas gjyqtarit kanë qenë “dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit”.

“Jam në dispozicion të këtij procesihetimor. Përtej rezervave që kam kam vendosur të mos e apeloj. Vazhdoj të besoj se çfarë kemi bërë ka qenë thelbësor. Në janar bëhet 8 vite që po hetohet, ndërkohë që në këto 8 vite operohet në kushte sterile”