Ditën e sotme, moderatorja e njohur, Alketa Vejsiu ka humbur një nga personat më të shtrenjtë të familjes, babain e saj.

Përmes një postimi të bërë në profilin e saj zyrtar në Instagram, Alketa ka ndarë një nga momentet më të bukura me babain e saj, teksa kanë kënduar në skenë së bashku.
Mes dhimbjesh, moderatorja tregon se ndarja me të atin është trishtimi më i thellë që ajo ka provuar në jetë.

“Ndarja me ty nga kjo jetë është trishtimi më i thellë që më ke bërë të provoj my Super Star Dad! Edhe ndarjet tona kur ikje në emigracionin e egër se duhet të punoje e të na ndihmoje të rriteshim, me dhimbje të thellë i përjetoja, por edhe pse futesha me kokë nën batanije e qaja me orë, përsëri më mbante të fortë shpresa që do të vinte një telefonatë, do të vinte një pako me dhurata, do të vije të më takoje! Asnjëherë nuk jemi përqafuar kur iknim nga njëri-tjetri, edhe kur unë u rrita, e ty ca thinja më shumë të dolën…Ndarja për ne ishte e papërballueshme, na qante shpirti”.

“S’do jem kurrë më i njëjti njeri se më ka ikur një pjesë e shpirtit me ikjen tënde, më ka ikur një pjesë e zemrës që se zëvendëson asgjë dhe askush. Vetëm tani mund të kuptoj çdo njeri që ka kaluar në këtë rrugë dhimbjeje dhe ka humbur babanë, nënën apo dikë të shtrenjtë. Zemra ime ju ndjen të gjithëve!”

E di qe e kishe ëndërr të këndonim këngën “Comme toi” sërish në “X Factor” bashkë, s’ja dolem dot! Por e kemi kujtimin më të bukur të jetës aty në skenë. Me Borën e Bardhe/ Tombe La Neige që do sjellë dhe dimrin më të trishtë të jetës sime.

Ti njeri artist me kaq shumë talente asaj skene duhet ti përkisje; që e mësove pianon dhe kitarën pa mësues dhe shkollë, dhe që jetën e kishe këngë dhe buzëqeshje; ti që çelës soli kishe dashurinë; më ke lënë një boshllëk në shpirt që nuk do të mbushet kurrë.

“Gjithçka do të bëja të dhuroja, të blija a të shtoja pak kohë jete. Këtë se bera dot edhe pse luftuam të dy aq shumë që t’ja dilnim. Por besoj që kam permbushur një mision tjetër; Të të bëja të lumtur dhe krenar. E kisha motiv jete këtë”.