Vrasja e Zef Gurit dhe plagosja e djalit të tij Gjin Guri ka ndodhur pas konflikteve për shfrytëzimin e pyjeve. Policia e Shkodrës zbardh vrasjen e 27 shtatorit në Dukagjin dhe shpall në kërkim Gjovalin Guri

-Për ngjarjen e ndodhur më datë 27.09.2023, rreth orës 18:20, në aksin rrugor Kir-mali i Shoshit, ku u vra me armë zjarri shtetasi Z. G., 73 vjeç dhe u plagos rëndë djali i tij, shtetasi Gj. G., të cilët po udhëtonin me një kamionçinë në drejtim të Shkodrës, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh në funksion të zbardhjes së ngjarjes. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Gj. G., i cili është shpallur në kërkim nga DVP Shkodër edhe për vepra të tjera penale.
Motivet e kësaj ngjarjeje dyshohet të jenë konfliktet dhe kanosjet e vazhdueshme me palën e dëmtuar, për shkak të zaptimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe sipërfaqeve pyjore në zonë.

Për kapjen e shtetasit Gj. G., janë angazhuar strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Reparti Special “RENEA” dhe Njësia Alpine. Aktualisht vijojnë kontrollet në zonat e thella të Dukagjinit.