Pas një moti të paqëndrueshëm, rrezet e diellit duket se kanë çelur zyrtarisht sezonin e vërtetë turistik në Velipojë.
Pushuesit janë të shumtë ndërsa duket se janë të kënaqur me kushtet që ofron Velipoja këtë vit.
Shqiptarët e Kosovës mbajnë rekordin e pushuesve për të 5-tin vit me radhë.
– Advertisement –
“Si fillim ma mirë s’ka! Na pëlqen kështu jemi mësuar tani e sa vjet. Për ne situata është shumë mirë. Deri tani s’kemi parë mbeturina përreth,” – u shpreh një qytetare.
Për shkodranët, Velipoja është e pazëvendësueshme ndërsa sa herë gjejnë mundësinë vijnë të kalojnë pushimet.
“Edhe vitin tjetër kam qenë, por shumë shumë bukur. Edhe plazhi i pastruar, ushqimet perfekt. Jemi shumë të kënaqur . Në radhë të parë jam shkodran e është e jona. Lindur e rritur në Shkodër. Kur i thonë Shkodër locja, na merr malli me të vërtetë. Kam pasione shumë. Kurbeti kështu e ka,” – tha një burrë.
Euronews Albania u interesua pranë njësisë administrative Velipojë ku na u konfirmua që më shumë se gjysma e hapësirave të bizneseve të shezlongëve janë shpërndarë ndërsa po vijon procesi për bizneset e tjera.
Sa i takon hapësirave publike, deri më tani duket se raporti 70 me 30 është respektuar .
Velipojën e preferojnë dhe të huajt ndërsa ka dhe nga ata që pastërtia nuk i duket në nivelin e duhur.
“Jam nga Austria dhe është hera e parë në Velipojë. Është vend shumë i bukur. Kam qenë në vende të tjera si Italia, Mali i Zi, por po më pëlqen shumë këtu. Kam ardhur me familjen time për pushime dhe po i shijoj,” – tha një austriak
Ndërkohë operatorët turistikë shprehen të kënaqur me prenotimet duke premtuar se edhe këtë vit nuk do të ketë rritje të çmimeve.