Në një dalje të sforcuar mediatike, Sali Berisha vuri në dyshim rezultatin mbresëlënës dhe të pastër të fituesit Benet Beci, duke u përpjekur ta justifikojë veten se kjo humbje e kandidatit të tij erdhi ngaqë, sipas tij, “Shkodra votoi në pushtim të plotë”. Si gjithnjë Berisha, për shkak të karakterit të vështirë e ka të pamundur të pajtohet me realitetin, duke gjetur lloj- lloj mënyrash për ta paraqitur humbjen e tij si rrjedhojë e një faktori jashtë politikës dhe me këtë ai ka parasysh bandat kriminale.
Mbase ky argument i pabazë i tij mund të hante debat në ndonjë bashki tjetër, por në Shkodër kurrsesi. Shpirti i lirë shkodran nuk mund të thyhet kurrë nga bandat që qarkullojnë në mendjen e sëmurë të Berishës.
Përkundrazi, përdorimi i bandave kriminale të supozuara, do ishte një vetvrasje për kryeministrin Rama, sepse do i ktheheshin në një bumerang edhe prej votuesve të vetë. Shkodra nuk fitohet me banda, por me qytetari.
Kryeministri Rama është përpjekur edhe në të kaluarën ta fitojë Shkodrën duke kandiduar emra të denjë për këtë qytet, zonja Bazhdari, zonja Angoni, por faktori psikologjik i kësaj bashkie, që lidhnin pazgjidhshmërisht Partinë Socialiste me të shkuarën komuniste, ia ka bërë të vështirë atij që të arrinte objektivin për të fituar bashkinë Shkodër.
Më në fund u gjet njeriu i duhur, Benet Beci, i cili arriti fitojë zemrat e shkodranëve duke i besuar për herë të parë në tre dekada, Partisë Socialiste drejtimin e Shkodrës. Dhe fitorja nuk ishte vetëm për kandidatin si individ, por edhe për Partinë Socialiste si subjekt që prodhoi 18 mandate në Këshillin Bashkiak.
Por, për ta qetësuar Sali Berishën që në këtë fitore të zotit Beci, nuk kanë dorë bandat kriminale, po i jap një statistikë të plotë se si kanë votuar njësitë administrative të bashkisë Shkodër. Statistikën e kam ndërtuar duke krahasuar rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit 2023, me rezultatin e zgjedhjeve të marsit 2022.
Duke qenë se në vitin 2022, ishin 3 kandidatë, unë për lehtësi krahasimi i kam bashkuar votat e zotit Spahia me ato të zotit Bushati, në një të vetme. Prej këtij totali, kam nxjerr se sa vota më shumë ka patur zoti Spahia + Bushati në vitin 2022 përballë zonjës Angoni, dhe sa vota më pak ka zoti Spahia në vitin 2023 përballë zotit Beci.
Diferenca e votave për zotin Spahia sipas njësive administrative:
Njësia Ana Malit
Viti 2022 – plus 438
Viti 2023 – minus 277
Njësia Bërdicë
Viti 2022 – plus 454
Viti 2023 – minus 646
Njësia Dajç
Viti 2022 – plus 585
Viti 2023 – minus 344
Njësia Gur i Zi
Viti 2022 – plus 754
Viti 2023 – minus 709
Njësia Postribë
Viti 2022 – plus 563
Viti 2023 – minus 481
Njësia Pult
Viti 2022 – plus 114
Viti 2023 – minus 181
Njësia Rrethina
Viti 2022 – plus 948
Viti 2023 – minus 2243
Njësia Shalë
Viti 2022 – barazim
Viti 2023 – minus 309
Njësia Shosh
Viti 2022 – nuk u numërua
Viti 2023 – minus 55
Njësia Velipojë
Viti 2022 – plus 8
Viti 2023 – minus 1339
Njësia Shkodër qytet
Viti 2022 – plus 5805
Viti 2023 – minus 5117
Totali i të gjitha njësive
Viti 2022 – plus 9669
Viti 2023 – minus 11727
Siç mund të dallohet fare lehtë, brenda 14 muajve zoti Spahia (bashkë me zotin Bushati) nga diferencë plus që i kishte të gjithë njësitë, kaloi me diferencë minus po tek të gjitha njësitë.
Kushdo e kupton se bandat kriminale që ndodhen në fantazinë e Berishës, janë justifikimi më i dobët, qesharak, por edhe fyes për qytetarët e Shkodrës. Fakti kokëfortë që ai humbi në të njëmbëdhjetë njësitë, është mesazhi më kuptimplotë që zoti Spahia dhe dyshja Berisha – Meta, janë refuzuar në masë nga qyteti simbol i antikomunizmit.
Do i sugjeroja zotit Spahia që ta pranojë realitetin dhe ashtu siç tregoi qytetari në vigjilje të zgjedhjeve duke i dhënë dorën rivalit Beci, ta bëjë edhe tani që populli foli qartë, duke njohur humbjen dhe t’i urojë fitoren kryebashkiakut të ri, Benet Beci. Le të fillojë reflektimi i humbjes nga ky shembull qytetarie.