Numri i përdoruesve të drogës sa vjen e rritet dhe kjo gjë vërtetohet nga pacientët që kërkojnë ndihmë në shërbimin e toksikologjisë. Ndërkohë që mes 20 pacientëve të shtruar, mbizotërojnë moshat e reja. Amarda Gashi, mjeke toksikologe thotë për Klan News se moshat e personave që janë aktualisht të shtruar në spital variojnë nga 18-35 vjeç.

Sipas Gashit, nëse të shtruarit në pavionin e toksikologjisë janë 18 vjeç, përdorimi i drogës ka nisur disa vite para. Ajo shton se kokaina nis që në moshat 12-13 vjeç, kryesisht tek vajzat.

“Numri i përdoruesve të drogës është rritur. Kemi 18-35 vjeç që janë të shtruar. Kokaina nis që në 12-13 vjeç, kjo sepse është ulur mosha e përdorimit. Në rritje është dhe përdorimi i substancave narkotike te vajzat e reja. Kokaina ka nisur të përdoret dhe nga vajzat të cilat vijnë në pavionin tonë për ndihmë. Rastet emergjente janë më të shpeshta gjatë fundjavës, kjo për shkak të festave të shfrenuara,”- thotë Gashi.

Sipas të dhënave të shoqatave të cilat merren me rehabilitimin e përdoruesve të drogës, numri i tyre është rreth 60 mijë, prej të cilëve 8 mijë janë përdorues intervenozë.