Një grua e identifikuar si Diana Bahçja është arrestuar nga policia e Shkodrës vetëm 8 ditë pasi kishte sjellë në jetë djalin e saj. Shkak është bërë një gjobë që gjykata e shkallës së parë në Tiranë i ka vendosur në vitin 2020 në shifrën e 2 milionë e 500 mijë lekëve të vjetra. Ky është konvertuar një javë më parë në dënimin me 1 muaj e 20 ditë burg.
Bashkëshorti i saj Naim Bahçja nga fshati Drisht i Postribës në Shkodër thotë se prej një jave po kujdeset për fëmijën e tij të porsalindur. Naim Bahçja thotë se bashkëshortja e tij u arrestua një javë më parë kur djali i saj ishte vetëm 8 ditësh, i porsalindur pa pasur asnjë dijeni as për gjobën e vendosur para tre vitesh dhe as për vendimin e dënimit me burg.

Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e një fëmije nga martesa e parë, por ajo mohon se e ka braktisur vajzën e saj. Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, e dënuara thotë se ish-bashkëshorti pasi e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia duke mos ia lënë as vajzën. Aktualisht për djalin që sapo ka mbushur dy javë nga momenti i lindjes kujdeset babai Naimi dhe mbesa e tij 11 vjeçe duke treguar se e kanë shumë të vështirë qoftë për ushqyerjen, por edhe për përkujdesjen ndaj foshnjës.

Apeli i 28-vjeçarit është që bashkëshortja e tij të lirohet sa më parë dhe të kthehet tek fëmija i porsalindur ndërsa tregon se është i gatshëm që të marrë edhe vajzën që bashkëshortja e tij ka nga martesa e parë.
E dënuara Diana Bahçja është nga Burreli ndërsa edhe ish-bashkëshorti i saj që e ka denoncuar për braktisjen e fëmijës së parë disa vite pas divorcit është nga Burreli, denoncim që e ka bërë pasi Diana është martuar për herë të dytë në Shkodër. Është e paqartë se cila është historia mes këtij ish-çifti dhe përse nëna nuk e ka marrë vajzën nga martesa e parë apo se çfarë ka vendosur gjykata për këtë rast.