Keni informacion që të bëni një denoncim që godet bandat kriminale në vend? “+1 571 502-7846” është numri i vënë në dispozicion nga agjencia më e madhe në botë kundër trafikut të drogës, DEA Amerikane. Për herë të parë ndonjëherë, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka shpërndarë një njoftim në rrjetet e saj sociale disa ditë më parë, duke hapur zyrtarisht një linjë të re sinjalizimi për vendin tonë dhe duke nxitur këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga që ta ndajë informacionin ekskluzivisht me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: albania_DEA_tipline@state.gov. Pa nevojë për ndonjë transmetues shqiptar!

“Agjencia e SHBA-së Kundër Narkotikëve njofton një linjë të re sinjalizimi për Shqipërinë. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: albania_DEA_tipline@state.gov. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.”

Pra, SHBA-ja është përkushtuar të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me to, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët. Me Shqipërinë, jo me shtetin shqiptar dhe as me Policinë shqiptare.

Deklarata zëre se nuk u pa nga zyrtarët e vendit tonë, edhe pse bëri bujë në media dhe të gjithë e raportuan si një lajm të bujshëm. Deri më sot, kur nga ‘halli’, i pyetur në deklaratën për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se kjo është një shenjë të besimit të fortë bashkëpunimin e DEA-s amerikane me autoritetet shqiptare. Madje shtoi se agjentët do të bashkëpunojnë me të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar, kur në fakt DEA në njoftimin e bërë ishte shumë e qartë në atë që kërkonte dhe atë që do të bëjë.

“Unë e konsideroj si shenjë e besimit të fortë të autoriteteve të DEA me institucionet shqiptare, bashkëpunimi është i forcuar, që kur u krijua SPAK por edhe më përpara, bashkëpunimi mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda me partnerët tanë amerikanë ka qenë korrekt. Ju ftoj ta merrni informacionin e plotë dhe të shihni bashkëpunimin e SPAK me autoritetet e DEA-s, dua ta theksoj është shenjë e besimit të fortë ndërmjet autoriteteve tona ligjzbatuese dhe atyre të DEA-s, për ju lajm i gëzuar duhet të jetë ky që ka një vullnet serioz të agjencive të huaja dhe qeverisë shqiptare për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh Manja.

Veç Manjës që u përgjigj pa dashur, asnjë tjetër nuk ka pipëtirë. Kryeministri, ministri i Brendshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të gjithë, “left the chat”! Askush nuk guxoi që ta bënte “ripost” njoftimin, e aq më pak ta komentonte.

Por a është lajm i mirë apo i keq? Për goditjen ndaj krimit, është një lajm i mirë. Lajmi i keq konsiston në faktin që DEA amerikane nuk ka besim në autoritetet shqiptare, e kjo është një fakt tashmë. Nuk ia besojnë dot me asnjë informacion që t’ja kalojnë partnerët shqiptarë, por duan që të kontaktojnë vetë dhe të marrin sinjalizimet nga qytetarët. S’ka më kohë për të pasur një marrëdhënie mirëbesimi me shtetin shqiptar. Aq më tepër kur bandat shqiptare po kthehen në bashkëpunëtorët kryesore të karteleve vendave në Amerikën Latine.

Madje kokainën e blejnë direkt në Ekuador, direkt nga “burimi”, ndërsa hiqen si biznesmenë të suksesshëm që arrijnë të emërojnë dhe ndryshimet në kabinet dhe të kenë fqinjë presidentin e vendit. Sipas “Telegraph” kanë hequr nga tregu fare mafian italiane. Mafia shqiptare kryesisht hyn në aleanca me kartelin “Sinaloa”, i cili gjithashtu ka qenë i lidhur me “Choneros”, një bandë kriminale ekuadoriane që fajësohet për vrasjet në burgje. Roli i grupeve shqiptare, shihet në dërgesat që shkojnë drejt Durrësit, që tani e tutje do të jenë në lupën e DEA-s.

Se si do të zhvillohen aksionet, do presim ta shohim. Mesiguri do të kenë material mjaftueshëm për një serial në Netflix.