“Do të ketë protesta të vazhdueshme para dhe pas saj. Protestë edhe para Parlamentit,”-kështu tha kryedemokrati Sali Berisha në mbledhjen me drejtuesit e degëve në selinë blu. Kryetari i PD-së, Sali Berisha është takuar pasditen e sotme me kryetarët e degëve në të gjithë vendin, të cilëve u ka kërkuar angazhim në protestën kombëtare të 11 shkurtit.

Në fjalën e tij, Berisha tha se pas datës 11 shkurt, tubimet e opozitës do të vazhdojnë. Numri një i demokratëve është shprehur se PD është forca e vokacionit perëndimor dhe nuk do të ndalet derisa të largojë të keqen, sipas tij, kryeministrin Edi Rama, nga pushteti.

“Çdo demokrat e demokrate duhet të mobilizohet si asnjëherë më parë, për protestën në Tiranë. Tirana gjithashtu duhet të derdhet e tëra në shesh, Shqipëria duhet të vërshojë drejt Tiranës. Por ne jemi në revoltë, jemi në protestë, ky është revolucion.Shqiptarët duhet ta dinë se parlamenti shqiptar është më i shëmtuar sot se kurrë, më i cunguar se kurrë. Është një parlament ku shkelet kushtetuta çdo ditë.

Është një parlament ku vendoset në mënyrë banditeske nën urdhrat e Ramës çdo ditë. Është një parlament ku dhunohen çdo ditë të drejtat e të zgjedhurve nga qytetarët shqiptarë. Ne jemi të vendosur të mos e braktisim atë kurrë. Por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet në parlament,”-tha Berisha ndër të tjera.