Pesë personat e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) janë Plarent Dervishaj, Julian Meçe, Bashkim Haxhia, Marsel Decka dhe Akil Nerjaku. Të gjithë të lidhur me ish-Bandën e Durrësit të drejtuar nga Lulzim Berisha. Ata dyshohet të kenë gisht në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndojës, ngjarje e ndodhur më 1 tetor të vitit 2019, ku mbeti i vrarë shoferi i Ndojit, Andi Maloku. Akuza e ngritur ndaj tyre është sigurisë i kushteve dhe mjeteve për vrasjen. Në kërkim është shpallur Ramazan Rraja, i akuzuar për të njëjtën ngjarje. RENEA dhe oficerët e BKH-së zbarkuan një ditë më parë në vilën e tij në Nikël, por aty u përballën vetëm me deputetin e Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Por kush janë ata?

Plarent Dervishaj

Plarent Dervishaj ndodhet në Dubai. Ai u vu në pranga atje për llogari të drejtësisë shqiptare që e shpalli në kërkim pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit e akuzoi për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe të Klodian Saliut, por ekstradimi i Dervishajt drejt Shqipërisë nuk ndodhi kurrë. Kjo, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes dy vendeve. Dervishaj është edhe kunati i Lulzim Berishës.

Julian Meçe dhe Bashkim Haxhia

Julian Meçe është marrë edhe më herët në pyetje lidhur me atentatin ndaj Ndojit. Meçe është pyetur nga grupi hetimor, si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe më pas është lënë i lirë. Julian Meçe është konsideruar si numri 2 i ish-bandës së Durrësit. Adriatik Coli një nga anëtaret e bandës, kur u arrestua tregoi në polici rolin dhe ndikimin e tij. Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Dervishajt iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishajt. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Plarent Dervishaj morri një plumb në këmbë. Brenda makinës tip Range Rover ishte edhe Bashkim Haxhia, mik i tyre, i vetmi i arrestuar për këtë ngjarje pasi akuzohet se iu kundërpërgjigj me armë në drejtim të autorëve. Madje Haxhia nuk pranoi as të dilte nga burgu.

Akil Nerjaku

Akil (Gentian) Nerjaku nuk është një emër u panjohur në botën e krimit. Vetëm pak muaj më parë, Nerjaku i shpëtoi një atentati me snajper në Durrës. Një bandë e mirëpërgatitur zbarkoi në lagjen nr.13 në plazhin e Durrësit për të ekzekutuar Nerjakun, mesditën e 12 shtatorit. Ata mendohet të kenë qenë pesë persona dhe të gjithë të veshur me të zeza e me kapuçë në kokë. Të futur brenda një furgoni, në dukje si transportues mallrash, atentatorët u ndalën në rrugën ku ishin informuar se ndodhej shënjestra e tyre dhe qëlluan. Një tek plumb do të ishte mjaftueshëm nëse do të kishin pasur shënjestër, por gabuan. Plumbi përfundoi në makinën e një pushuesi nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte zgjedhur bregdetin e Durrësit për të pushuar, por u gjend në kohën dhe vendin e gabuar më 12 shtator. Në të njëjtin moment dhe në të njëjtin vend ku ishte parkuar makina, Nerjaku ishte duke lëvizur me automjet Mercedez Benz. Ngjarja kaloi pa dëme, por as nuk u zbardh, pasi deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar për këtë atentat. Ai është prangosur nga Policia e Durrësit më 3 tetor të vitit 2017 në kuadër të një operacioni në atë kohë për goditjen e elementëve kriminalë. Fierza, person me precedent penal, njihet edhe si mik i Lul Berishës. Ai është evidentuar si pjesë e bandës së Durrësit, ndërsa u ka shpëtuar dy atentateve me armë zjarri në 2010 dhe 2012. Ai deklaroi në atë kohë se në momentin që janë prangosur i ishte drejtuar komisariatit për të dorëzuar armën të cilën e kishte gjetur në një depozitë uji. Ndërsa Nerjaku deklaronte se armën që posedonte e kishte me leje. Pas verifikimeve rezultoi që arma e zjarrit e tipit pistoletë ishte me leje, por duhej të mbahej në ambientet e banesës së Nerjakut dhe jo jashtë saj. Në atë kohë, Gjykata e Durrësit dha masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për Nerjakun.

Ramazan Rraja

Ai është nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja. SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij që ndodhet aktualisht në burg, Redjan Rraja, kanë organizuar atentatin ndaj prokurorit Ndoj. Ramazan Rraja u ndalua për herë të fundit dy muaj më parë nga Policia e Shtetit, në qafë-Kashar. Ai ishte bashkë me Rexhep Rrajën e tre miq të tjerë kur u ndalua teksa lëvizte me makinë të blinduar. Ai u pyet për masakrën e Fushë Krujës, ngjarje e ndodhur më 17 korrik të vitit 2022, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata dhe sipas raportimeve, u mbrojt me faktin që në atë kohë ndodhej jashtë vendit e nuk kishte lidhje me ngjarjen.