Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia ka reaguar për rastet e dhunës ndaj shqiptarëve nga policët malazezë në pikën kufitare të Muriqanit duke thënë se shteti shqiptar hesht. Teksa akuzon Edi Ramën se propagandon nismën e ‘Open Balkan’, Spahia thotë se pas dhunës së familjes ndaj zyrtarit të Partisë së Lirisë, rasti është përsëritur.

Teksa i referohet qeverisë shqiptare që qëndron indiferente, thotë se këto shfaqje nuk i shërbejnë aspak raporteve të fqinjësisë së mirë.

“Asnjë fjalë nga autoritetet shqiptare për dhunën në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në doganën e Muriqanit ndaj shtetasve shqiptarë. E ndërsa heshtja mbetet kryefjalë e palës shqiptare dhe asaj malazeze, një tjetër video ka dalë në rrjetet sociale ku dëshmohet me zë dhe figurë se fenomeni nuk është i izoluar, por një rast i përsëritur.

Dhuna mbetet një akt i papranueshëm, prandaj e dënoj me forcë këtë sjellje të individëve që mbajnë uniformën e shtetit dhe sillen në mënyrë brutale me qytetarët, kur do të duhej të dëshmohej krejt e kundërta. Shteti shqiptar nuk ka asnjë arsye të mos reagojë, e aq më pak t’i trajtojë këto incidente me indiferentizëm sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Në njërin krah kryeministri propagandon nismën e “Ballkanit të Hapur”, e në krahun tjetër ai dhe institucionet e varësisë mbyllin sy e veshë përballë shfaqjeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve të fqinjësisë së mirë”, tha Spahia.

Më parë u bënë publike pamjet e Petraq Milos, sekretarit për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë që ishte me bashkëshorten dhe djalin kur ra pre e dhunës nga ana e punonjësit të doganës malazeze, i cili i nxori me forcë nga makina dhe i shoqëroi në komisariat.