Kreu i shtetit Bajram Begaj që prej marrjes së kësaj detyre ka kthyer për shqyrtim ligjin e parë, atë të dekoratave. Ky vendim i Begajt vjen pasi ‘qeveria i mori’ Presidencës kompetencën për të dekoruar. Në arsyetimin e kthimit të ligjit ‘Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë’, thuhet se Presidenca është një organ kushtetues i pavaruar dhe se kjo kompetencë i takon vetëm këtij institucioni.
“Është e qartë, se në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës, i cili në kuptim të Kushtetutës, është një institucion i pavarur kushtetues, me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato.
Gjykata Kushtetuese ka cilësuar në jurisprudencën e saj, lidhur me statusin dhe pozicionin e institucioneve/organeve të pavarura kushtetuese se: “Kjo pavarësi nuk është thjesht një privilegj i tyre, por një prerogativë e vërtetë dhe e domosdoshme, e cila u jep më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet organeve dhe institucioneve kushtetuese në ushtrimin e detyrave të tyre”, thuhet në njoftim.
Comments are closed.