Dita e sotme është krejt e veçantë për ikonën e humorit shqiptar Zyliha Milotin, pasi ajo sot feston ditëlindjen e saj. Të rinjtë shkodranë të grupit “Eko Mendje” me ideatorin e saj Mirsad Bashën menduan ta befasonin aktoren e njohur përmes vizitës surprizë në shtëpinë ku ajo banon në Shkodër.

Gumëzhinte sot kjo shtëpi nga vizitat e miqve të zemrës dhe kolegëve ndër vite e që kishin ardhë edhe nga larg për ta uruar Mjeshtren e Madhe Zyliha Milotin në këtë përvjetor të 77-të të lindjes. Të veshur me bluzat e dizajnuara me foton e artistes, nuk munguan as autografet mbi to, dhënë nga vetë aktorja shkodrane. Bisedat e ngrohta i lënë vendin më pas “Luleborës”, këngës së pavdekshme shkodrane e që aktores i sjell në kujtime mbesën e saj që jeton larg Shqipërisë.Në fund të vizitës me urime zemre për aktoren e madhe të humorit shqiptar nuk munguan as fotot përkrah saj.

Galeria e personazheve që Zyliha Miloti dhe eksperienca e saj ka krijuar ndër vite, kanë bërë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara të estradës shqiptare. Rreth 60 vite karrierë artistike në Teatrin “Migjeni” dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 260 premiera. Në çdo premierë rolet e saj kanë spikatur për interpretimin e shkëlqyer dhe kanë qenë gjithnjë të arrira. Përveç këtyre ajo ka marrë pjesë në teatrin e dramës dhe në një numër të madh filmash të kinostudios “Shqipëria e re” dhe të atyre pas viteve ’90 dhe ajo mbetet ende aktive edhe sot e kësaj dite.