Deputetë të Partisë Demokratike janë mbledhur këtë të mërkurë në selinë e tyre për të mbledhur firmat për shkarkimin e Enkeled Alibeaj. Në një lidhje direkte për Klan News, gazetari Enkel Xhangoli ka raportuar se tashmë janë mbledhur 20 firmat e nevojshme për të bërë të mundur shkarkimin e tij si kryetar të Grupit Parlamentar.

“Tashmë ka nisur konkretizimi i shkarkimit të Enkeled Alibeaj si kryetar i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, siç njihet zyrtarisht nga Kuvendi i Shqipërisë ndërkohë që duhet theksuar se Partia Demokratike tashmë ka edhe struktura të tjera dhe kryetarë të rinj të Partisë Demokratike. Sipas burimeve brenda PD-së janë mbledhur firmat e nevojshme të deputetëve demokratë të cilët do të bëjnë të mundur dhe shkarkimin e tij. Janë mbledhur rreth 20-21 firma, të cilat mjaftojnë për të shkarkuar Enkeled Alibeajn si dhe për të zgjedhur një kryetar grupi të ri parlamentar në Partinë Demokratike”, raporton gazetari i Klan News.

Sipas procedurave shkarkimi zyrtar do të bëhet nëpërmjet një shkrese që Partia Demokratike duke bashkëngjitur edhe firmat e deputetëve demokratë do ia dërgojë Kuvendit e më pas do nisin procedurat për shkarkimin e tij.

Gazetari i Klan News më tej ka raportuar se ky vendim ka qenë iniciativë e Ervin Salijanit, i cili është edhe kandidaturë potenciale për ta zëvëndësuar Alibeajn. Sipas raportimit të gazetarit ka qenë ai i pari që e ka propozuar, por është pranuar dhe firmosur edhe nga deputetë të cilët nuk kanë qenë vetëm ata që janë shprehur si përkrahës të Berishës, por edhe nga ata që ishin përkrahës të Alibeajt./tvklan.al