Gazetarja Klodiana Lala është shprehur se familjarët e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj janë vënë në shënjestër kohët e fundit nga Policia e Shtetit. E ftuar në Neës24, Lala tha se një i njohuri i tij është shoqëruar për armëmbajtje pa leje, ndërsa kontrolle janë ushtruar edhe në shtëpitë e xhaxhallarëve të Martinajt, Faik dhe Rakip Martinaj. Ajo shtoi më tej se Prokuroria për herë të parë ka vendosur që t’i trajtojë si çështjes të njëjta, si operacionin “Plumbi i artë” ashtu edhe atë të “Rrëmbimit të personit”, referuar zhdukjes së Martinajt.

“Prokuroria e Kurbinit është duke hetuar për zhdukjen e Ervis Martinajt. Nuk bëhet fjalë për procedim të thjesht procedurial. Faktet treguar se FNSH dhe RENEA, pas kontrollit në banesa, në një prej tyre të Ervis Martinajt, apo dhe në shtëpinë e Faik dhe Rakip Martinaj. Sendet e paligjshme u gjetën në kosheret e bletëve. Prokuroria për herë të parë ka vendosur që t’i trajtojë si çështjes të njëjta, “Plumbi i artë” dhe atë të “Rrëmbimit të personit”. Tek rasti i Kurbinit është duke u menduar si person i rrëmbyer dhe i vrarë nga kundërshtarët, Martinaj. Njerëzit e tij ishin vënë në target grup. Një tjetër i njohur i tij është shoqëruar dhe është mbajtur në komisariat për armëmbajtje pa leje,”- u shpreh Klodiana Lala.

Sot, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në Fushëkuqe, Vlorë dhe në Shijak, ku janë kërkuar gjurmë e të dhëna që do të mund të hedhin dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit të zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit, Ervis Martinaj. Fushëkuqja e Kurbinit, zona ku dhe jeton familja e Martinajt ishte e rrethuar për pesë orë gjatë ditës së sotme. Por, deri më tani nuk është raportuar për gjetjen e ndonjë të dhëne të re në lidhje me fatin e ish-bossit të lojërave të fatit. Policia e Shtetit doli nga Fushëkuqja me armë e municione luftarakë, por pa ndodnjë gjurmë konkrete që mund të zgjeronte hetimet për 40-vjeçarin e zhdukur.