‘Rithemelimi’ ka vijuar akuzat për Bashkinë e Vaut të Dejës. Kësaj here me anë të zëdhënëses së tyre, Floriana Garo, ‘Rithemelimi; akuzon se kjo Bashki po përdor skemën ekonomike si një mjet për “blerë” votën e qytetarëve për zgjedhjet vendore të 14 majit. Sipas tyre, kjo Bashku ka hequr personat në nëvojë nga kjo skemë ekonomike dhe i ka zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste. Garo thotë se kjo është një skemë e paramenduar me qëllime të patronazhimit politik.

“Në kushtet e një varfërie ekstreme, përballë braktisjes që shqiptarët po i bëjnë vendit çdo ditë, të abuzosh edhe me kafshatën e gojës, është krim. Administratorët e Ndihmës Ekonomike të Bashkisë Vau Dejës, në një rast të paprecedent, kanë nisur largimin e familjeve në nevojë nga skema ekonomike, duke i zëvendësuar me militantë të Partisë Socialiste.

Partia Demokratike e denoncon me forcë këtë veprim kriminal në prag të festave të fund vitit. Kështu, dhjetëra familjeve do t’u duhet të kalojnë natën e ndërrimit të viteve edhe pa atë lëmoshë që u jepte shteti deri dje. Ky abuzim bëhet edhe më i rëndë nga fakti, se ndihma ekonomike u hiqet nevojtarëve për tu kaluar militantëve të Rilindjes, kalon nga duart e shtrira të të varfërve te duart e gjata të patronazhistëve.

Persona antinjerëzorë e antishqiptarë disa prej te cilëve prej vitesh jetojnë dhe punojnë jashtë vendit. Ky shpërblim u bëhet nga partia sepse janë pjesë e grupeve të manipulimit të votës, mercenarë që po përgatisin skemat e vjedhjes së zgjedhjeve më 14 Maj.

Kjo skemë është një kambanë alarmi për institucionet e drejtësisë, të cilët duhet të dënojnë personat përgjegjës të këtij abuzimi me ndihmën ekonomike për Bashkinë Vau Dejës, duke filluar nga drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social në Shkodër, të cilët duhet të kontrollojnë çdo familje që përfiton ndihmë ekonomike. Kjo është një skemë e paramenduar me qëllime të patronazhimit politik. Por varfëria nuk pyet për politikë dhe me përfituesit e ndihmës ekonomike nuk duhet të bëhen pazare politike.

Ky është një rekord i ri, turpi i qeverisjes vendore dhe qendrore të Rilindjes. Prerja e një lëmoshe në prag të festave është një akt çnjerëzor. Jo vetëm ky abuzim, por edhe shumë të tjerë të kësaj bashkie, do ta gjejnë përgjigjen e merituar më 14 maj, kur populli i Vaut të Dejës, dhe gjithë Shqipërisë, do t’i thotë ndal bandës në pushtet, që për vete vjedh milionat, dhe patronazhistëve u hedh thërrimet që u heq nga goja të varfërve”, tha Garo.

Nuk është hera e parë që ‘Rithemelimi i ka bërë thirrje SPAK për tenderat që jepen nga Bashkia e Vaut të Dejës. Ata kanë denoncuar se kjo Bashki i dha 51.2 mln lekë kompanisë për rikonstruksion rruge, por punimet s’përfunduan teksa ka denoncuar në SPAK Mark Babanin me akuzën për korrupsion. Nga ana tjetër, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka deklaruar se 870 milionë lekë kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve për karburant e lubrifikantë nga administrata e Bashkisë . Nga selia blu, Boçi tha se ka prova që faktojnë akuzën e demokratëve.