Ndeshje spektakolare, shumë e luftuar nga dy skuadra deri në minutën e 120. Argjentina fiton Kupën e tretë të Botës, Franca mbyll një botëror të humbur nga këmbët e Lionel Messit që në ndeshjen e fundit u bë “Zoti” i fushës.

3-3 pas 120 minutave me dy gola të Messit dhe 3 të Mbappe dhe 4-2 nga goditjet e 11-metërshave, bardhekaltërit rikthehen në majën e botës pas 36 viteve dhe Franca lëshon fronin.

Lionel Messi në përjetësi. Fituesi i 7 Topave të Artë tani mund të krahasohet pa asnjë ndrojtje me Diego Armando Maradonën madje mund të synojë fronin e më të mirit të historisë së futbollit.

Numri 10 fiton të parën Kupë Bote dhe kompleton gjithë karrierën e tij me trofeun e fundit të çmuar që nuk kishte mundur ta bënte të tijin. Në Doha të Katarit, Argjentina rikthehet të fitojë një botëror pas 1986-ës së largët dhe këtë e bën me lojë bindëse ndaj kampionëve të botës në fushën e “Lusail Stadium”.