Regjisori Altin Basha është emëruar Drejtor i Teatrit Kombëtar. Vendimi ka hyrë në fuqi ditën e sotme. Pas lirimit nga detyra të Hervin Çulit, drejtimin e Teatrit Kombëtar e ka marrë ish-regjisori i Portokallisë. Vendimi për zgjedhjen e Bashës është publikuar në fletoren zyrtare. Fillimisht kandidatët janë paraqitur para një komisioni në Ministrinë e Kulturës dhe kanë paraqitur platformat e tyre dhe më pas është lënë kohë për të marrë vendimin për drejtuesin e ri të Teatrit Kombëtar.

Vendimi:

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË TEATRIT KOMBËTAR

Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, e të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar, lirohet nga kjo detyrë.
Z. Altin Basha emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Hervin Çuli drejtoi për dy mandate Teatrin Kombëtar, por deklaroi se nuk do të konkurronte më për një mandat të tretë. Në garë me Bashën për këtë post ishin edhe Kiço Londo, Elma Dorezi dhe si dhe Arben Derhemi.