Qeveria shqiptare ka miratuar disa ndryshime në marrëveshjen mes Shqipërisë dhe shoqërisë “Microsoft Corporation” për sigurinë kibernetike. Në Aktin Normativ të publikuar, Këshilli i Ministrave ka vendosur që të amendojë marrëveshjen me “Microsoft” por duke zgjeruar fushat e angazhimit të gjigandit amerikan.

Fondi total për këtë do të jetë 2.4 miliardë lekë ose rreth 20 milionë euro, sipas njoftimit të publikuar në fletoren zyrtare. Kjo shumë do të kontribuojë në realizimin e ndryshimit të projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit të përballohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Vendimi:

1. Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, të marrëveshjes së rinovuar për partneritetin strategjik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “Microsoft Corporation”, miratuar me vendimin nr.55, datë 3.2.2021, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Fondi total prej 2 392 794 278 (dy miliardë e treqind e nëntëdhjetë e dy milionë e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për realizimin e ndryshimit të projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit të përballohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

3. Autorizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të lidhur marrëveshjet e parashikuara për zbatimin e projektit strategjik, sipas përcaktimeve në marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes së rinovuar për partneritetin strategjik, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.