Pas situatës së tensionuar në Veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç thotë se do t’i drejtohet KFOR-it për të siguruar dislokimin e forcave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë në Kosovë.

Ne u dakorduam sot për tekstin që t’i dërgojmë një kërkesë komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244, për të siguruar dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës dhe Metohisë, dhe vendimi i Qeverisë [për këtë çështje] do të merret të hënën ose të martën. Por është mirë që një ditë nuk do të thonë se nuk e kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë qeveri nuk guxoi të kërkonte dislokimin e trupave në Kosovë.
Ai tha se autoritetet serbe e kanë hetuar me kujdes të gjithë rastin rreth arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiç, dhe se për këtë i ka njoftuar partnerët ndërkombëtarë dhe se Prishtina pa asnjë bazë po e akuzon për terrorizëm.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave.

Që atëherë, në Kosovë është vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.