Sot është 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë. Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.

Të organizuar ata marshuan nga ‘Qyteti Studenti’ u bënë iniciatorë e kthesës së madhe historike të vendit, duke u ngritur në protesta që sollën rënien e sistemit komunist dhe ardhjen e demokracisë. Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë rrëzuan statujën e ish-diktatorit Enver Hoxha dhe kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.

Forcat e regjimit komunist kishin marrë urdhër që t’i bllokonin para se të dilnin tek “Rruga e Elbasanit”, që në atë kohë mbante emrin “Rruga Labinot”, në nder të fshatit që ndodhet në rrethin e Elbasanit, e ku komunistët zhvilluan një konferencë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fillimisht ja dolën mbanë, por fitorja ishte vetëm e një beteje të vogël. Nga 9 dhjetori e në vazhdim studentët përshkallëzuan protestën dhe i dërguan një letër Ramiz Alisë me pikë kryesore pluralizimin politik.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuar përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.

Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.