“Bashkia e Shkodrës dhe perspektiva e saj evropiane” ishin tema e aktivitetit të organizuar në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung. Ai ju dedikua administratës së Bashkisë Shkodër për tu njohur me përafrimin e legjislacionit, politikat dhe sfidat e Bashkimit Europian, tejet të rëndësishme për proçeset në të cilat ndodhet vendi ynë, e ku administrata lokale ka një rol kyç.

Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia theksoi rëndësinë që ka i kushtuar bashkia Shkodër kapitujve të BE-së, ku fokus është konsolidimi i bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe më gjërë për gjenerimin e ideve dhe terheqjen e fondeve të Bashkimit Europian, në kuadër të programeve të ndryshme ndërkufitare.

Spahia u ndal edhe tek sfidat që ka pushteti vendor veçanërisht me burimet financiare, ku autonomia lokale është në rrezik.Ekspertët e pranishëm në këtë takim u ndalën tek hapat që ka bërë vendi ynë dhe sfidat që dalin përpara për të plotësuar kriteret e përcaktuara në 35 kapitujt e çelur nga BE për Shqipërinë.