Në një kohë që Evropa është përfshirë në ethet e pushtimit rus të Ukrainës, Shqipëria dhe Polonia si vende anëtare të NATO-s, marrin masa sa i përket forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Në kuvendin e Shqipërisë, Qeveria ka depozituar një projektmarrëveshje që synon bashkëpunimin ushtarak mes trupave shqiptare dhe atyre polake.

Drafti në fjalë parashikon mbajtjen e stërvitjeve të përbashkëta të trupave, operacione dhe misione ndërkombëtare duke përfshirë dhe aktivitetet e kërkimi shpëtimit si dhe operacione humanitare e paqeruajtëse.

Gjithashtu parashikohet trajnimi dhe edukimi i personelit civil dhe ushtarak të palëve, bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, shkencën dhe teknologjinë si dhe mbështetje logjistike dhe teknike të Forcave të Armatosura të palëve. Marrëveshja parashikon shkëmbimin e informacionit të klasifikuar, shkëmbimin e informacionit në lidhje me survejimin e hapësirës ajrore, këshillim dhe trajnime të përbashkëta.

Polonia vijon të jetë një nga vendet strategjike lidhur me luftën në Ukrainë ndërsa është përdorur si një urë kalimi nga shumë ukrainas të cilët janë larguar nga vendi i tyre gjatë kohës së agresionit rus. Ndërkaq Polonia nuk ka shërbyer vetëm si një urë lidhëse për civilët por edhe për kalimin e forcave ushtarake dhe ndihmat që vinin nga vendet e tjera për të shkuar në Ukrainë.

Polonia e ka shprehur disa herë gatishmërinë për bashkëpunimin ushtarak me vendet e NATO-s përfshirë këtu Bulgarinë, Estoninë, Çekinë etj, dhe duket se së shpejti do ti bashkohet dhe Shqipëria nëse miratohet së shpejti në Kuvend.