Gersi Troka, djali me sindromën down renditet në dhjetëshen si notari më i mirë në botë

Gersi Troka, djali me sindromën down përfaqësoi Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Notit për Personat me Sindromën Down, i cili u zhvillua në Albufeira-Portugali.

Gersi u rendit në 10-tëshen e notarëve më të mirë të botës falë punës së tij të palodhur.

Garat në të cilat mori pjesë Gersi ishin: 200m Stil i lirë, 100m Stil i lirë, 50m Stil i lirë dhe 50m Delfin.

Pjesëmarrja e tij në Kampionat u realizua me mbështetjen e Kongresit Rinor Kombëtar dhe Bashkia Tiranë në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022” dhe në bashkëpunim me Coca-Cola Bottling Shqipëria.

Gersi Troka është pjesë e Special Olympics Albania, e cila është një lëvizje sportive që ka për qëllim të integrojë njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale në botën e sporteve dhe më konkretisht në komunitetin olimpik. Ai ka filluar të ushtrohet në pishinë që në moshën 10-vjeçare, por që merr pjesë nëpër kampionate ndërkombëtare dhe kombëtare. Në vitin 2016, ai mori pjesë për herë të parë në Firenze ku u zhvilluan lojërat botërore Trisome Games 2016, për Personat me Sindromen Down.

Në vitin 2017, 2021 dhe 2022 ka marrë pjesë në lojrat rinore Evrropiane të zhvilluara në Brno të Çekisë për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, e cila organizohet çdo vit nga organizata sportive Emil Open. Në vitin 2018 Gersi ka marrë pjesë në kampionatet botërore të notit për personat me sindromen down në Kosovë dhe në Truro, Nuova Skocia- Kanada. Gjithashtu në vitin 2019 ka marrë pjesë në Lojërat Botërore Olimpike Speciale në Abu Dhabi, për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.
Përveç kampionateve ndërkombëtare Gersi Troka është aktivizuar nga klubi Shumsportësh Tirana në kampionate kombëtare që nga viti 2015 e deri në 2022 që janë zhvilluar në Parkun Olimpik nga liqeni i Tiranës për fëmijë e të rinj dhe në qytetin e Durrësit për kupën e Teutës.

Në të gjitha këto kampionate kombëtare e ndërkombëtare, është pajisur me diploma, certifikata dhe ka fituar medalje të ndryshme, ku spikasin vendi i parë, i dytë dhe i tretë në Brno-Çeki, në Kanada vendin e parë, në Abu Dhabi vendin e katërt dhe të gjashtë e të tjera.

Top Channel