Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale vizitoi shkollat “Njazi Mastori” në Sukth dhe “Abedin Dino” në Durrës, ku u shpreh se programi për shëndetin dentar, pas Tiranës shtrihet me kabinete të reja dentare edhe në Durrës, për të vijuar më pas shtrirjen edhe në qytete të tjera.
“Në Durrës kemi 3 unite të reja dentare të reja, të cilat investuar së fundmi, pjesë e programit tonë për kujdesin e shëndetit oral. Në Tiranë kemi instaluar 10 kabinete dentare, me fazën e parë të programit. Faza e dytë e programit janë 8 unite dentare që po instalohen në tre qytete, në Durrës, Shkodër dhe Elbasan, të të njëjtit standard”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale pa nga afër edhe zbatimin e programit të kujdesit për shikimin në këtë shkollë, program i cili është shtrirë në të gjithë vendin.
“Janë më shumë se 90 mijë fëmijë të cilët janë depistuar. Dhe gjithashtu prindërve të tyre u është relatuar edhe statusi i të gjithë vizitave që i janë bërë. Dhe kjo duke siguruar që prindërit të informohen pikë së pari nëse fëmijët e tyre kanë probleme me shikimin por që dhe i është bërë ky kontroll, besoj shumë i rëndësishëm, sepse e para krijon një bazë besimi në shkollë përtej programeve të edukimit, duke përfshirë dhe programet e edukimit për shëndetin. Ajo çfarë është vënë re dhe që është edhe një sinjal për nevojën që kemi pasur për ta pasur këtë program në të gjitha shkollat e vendit është pikërisht edhe përqindja e rasteve të cilët më pas janë referuar tek mjeku specialist okulist, që është 25% e rasteve të detektuara, që janë referuar pranë mjekut specialist për kontrolle të mëtejshme”- u shpreh Manastirliu.
Me investimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Programi i Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç, ka filluar në 10 shkolla të Tiranës, më konkretisht, në shkollën “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar unite dentare të reja, duke krijuar kabinetet model të ofrimit të shërbimit dentar për fëmijët në shkolla. Në Durrës programi i dentistrisë do të zbatohet në shkolla 9 vjeçare “Naim Babameto”, “Abedin Dino”, “Njazi Mastori”; në Elbasan në shkollat “Luigj Gurakuqi”, “Jorgji Dilo”, “Bardhyl Popa”; në Shkodër në shkollat “Ismail Qemali”, “Ndre Mjeda”.
Gjithashtu ka nisur Programi i Parë Kombëtar për Kujdesin e Shikimit për Fëmijët, që përfshin pa dallim të gjithë fëmijët, nga të porsalindurit e deri në moshën 14-vjeçare, për kryerjen e depistimit apo kontrollit periodik të syve falas për më shumë se 270 mijë fëmijë.
Një program, i cili do të mundësojë që në momentin e lindjes deri në moshën 14 vjeç, të kemi një depistim të vazhdueshëm për sa i përket kujdesit ndaj syve, duke bërë kontrollin e parë në shkolla dhe duke referuar të gjitha ato raste të cilat mund të kenë problematika me shikimin, tek mjeku specialist.
Comments are closed.