“Na nxorën gocën nudo, na turpëruan!”, vëllai i autorit të tragjedisë në Klos rrëfen: I thamë ta merrte për nuse

Besnik Mjeshtri, vëllai i autorit të krimit të trefishtë në Klos mesditën e së mërkurës (12 tetor), ka rrëfyer se si ndodhi masakra.

Ai tregoi se i vëllai, Fiqëriu akuzonte djalin e viktimës, Kenadon, se “i kishin bërë vajzën me fjalë, na e keni nxjerrë nudo në telefon”, dhe i ka kërkuar që Ilir Shira ta merrte nuse për të birin.

Besnik Mjeshtri, i cili u arrestua pas krimit si bashkëpunëtor por u la i lirë, tregoi se në momentin kur u ul në kafe për tu sqaruar i kishte kërkuar dy vëllezërve të tij që të mos afroheshin në tavolinë pasi do e zgjidhte vetë, teksa rrëfeu se me Ilir Shirën ishin kushërinj të largët.

“Një natë para se të ndodhte ngjarja kanë marrë kontakt dy vëllezërit e mi Fatbardhi dhe Fiqeriu me prindërit e atyre dy djemve, Eglantin Hasulën dhe Ilir Shirën.

Kanë bërë debate shpeshherë por nuk kam qenë prezent, kanë qenë vëllzerit e mi.

Jam edhe i tronditur. Kanë takuar kanë folur bashkë dhe e kanë lënë përfundimisht të takoheshin të nesërmen në mëngjes për t’i vënë kapak kësaj pune, si do veprohej sepse na keni bërë gocën me fjalë, na e keni kërcënuar, na keni nxjerre gocën nudo në telefon, kanë bërë veprime të turpshme.

Dy vëllezërit e mi shkuan në Klos, ika dhe unë pas tyre rreth 1 orë më vonë. Kam takuar vëllezërit dhe shkuam të pimë kafe në 2 raste fatkeqësisë.

Kemi dalë të tre në këmbë te Bashkia e vjetër dhe jemi nis në qytetin e Klosit. Aty më del mua Ilir Shira. Jemi kushërinj të largët. Ai mu drejtua mua dhe më tha “kam një muhabet”, i dhashë dorën dhe më tha kam lënë me vëllezërit e tu të pimë kafe. A do pish kafe me mua ti? U takua me mua, më kërkoi të takoheshim bashkë, vëllezërit u spostuan dhe e lamë për të pirë kafe tek lokali.

Më tha a marrim Ferit Shirën se të dy e kemi tonin, e kemi kushëri. Tha do marr Feritin dhe do vonohem 10 minuta. Ika unë me dy vëllezërit para në kafe, vjen edhe Feriti dhe Ilir Shira.

Po bënim muhabet, dhe vëllai im i tha: Kemi folur mbrëmë, e kemi lënë të pimë kafe dhe t’i e din për çfarë jemi mbledhur këtu, çfarë na keni bërë. “Po është e vërtetë, nuk ta mohoj”, i tha Ilir Shira, “por do të flasim”.

Ferit Shira tha që do bëhet më e mira. Unë iu drejtova Feritit dhe i thashë: “Ta kam lënë ty këtë punë, na e zgjidh këtë problem, flit me kushërinjtë e tu. Ne na keni turpëruar me gocën, jeni nxënës shkolle, ka 4-5 ditë që nuk shkon në shkollë për këtë arsye. Nuk kemi ditur gjë, e kemi marrë vesh vonë. Se kishte 3-4 muaj apo një vit, bënin biseda në telefona. E vetmja rrugëzgjidhje ishte që vajzën ta merrte Iliri për djalin e tij, t’i shohim hajrin. Të bënim miqësi, pa u kapur me dorë, pa u ofenduar”.

Më tha që do e flisnim ne njëri-tjetrin dhe unë me dy vëllezërit u larguam, të ikim të hanim bukë. Në moment më merr një numër i panjohur dhe më thotë jam Feriti.

I thashë vonohem 30 minuta dhe më priti. Ikëm në lokal dhe nuk kishte njeri, donim të bënim muhabet qetë, pa na dëgjuar njeri dhe të mos bëhej e madhe. Nxorrëm tavolinat e karriget jashtë. Erdhi Liri, djali, Kenado.

Vëllezërit e mi erdhën më vonë sepse u pata thënë që mos ecni, të mundohem ta zgjidh unë problemin”, mësohet të ketë thënë Besnik Mjeshtri.

Fiqiri Mjeshtri dyshohet se vrau baba e bir, Ilir dhe Kenad Shirën, plagosi Eglantin Hasulën dhe djalin e tij të mitur, Renaton, e më pas i dha fund jetës së tij në banesë.

Të pranishëm në momentin e krimit ishin edhe dy vëllezërit e autorit, Fatbardh dhe Besnik Mjeshtri, të cilët u arrestuan nga policia por u liruan ditën e sotme.